Cult

Çmimi për Veprën Jetësore “Teuta”, i ndahet Nazmi Rrahmanit

07/05/2018 07:52
nga:Gazeta Blic

Çmimi “Teuta” ndahet në kuadër të Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve”, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Sivjet, manifestimi “Muzat e Alpeve” mbahet në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë.

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA”e themeluar nga shrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria në bashkëorganizim me Teatrin Shqiptar në Amerikë si dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit, me 6, 7 dhe 8 korrik 2018, në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë, organizon edicionin e 6-të të Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018″.

Sipas kumtesës për media, në përmbyllje të manifestimit ‘Muzat e Alpeve” edhe sivjet ndahet çmimi për vepër jetësore “TEUTA” i cili nga Shqipëria-gjegjësisht nga Moikom Zeqo, do të kalojë te shkrimtari i mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmani me motivacion: “Një ndër prozatorët më në zë të letërsisë shqiptare dhe ndër më të lexuarit, i futur edhe në lektyrën shkollore në Kosovë i cili vazhdon me botimin e veprave më të rëndësishme të shkrimtarëve shqiptarë, duke i kontribuar nxjerrjes në pah të vlerave letrare si dhe promovimit të tyre” (arsyetimi i “Teutës”, “Muzat e Alpeve 2018”).

Ndërsa, laureat paraprak të këtij çmimi ishin: Jevrem Berkoviç, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviç dhe Moikom Zeqo.

Hapja e manifestimit bëhet me 6 korrik 2018, në Gjakovë, me ç’rast “Muzat e Alpeve” do të priten nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Gjakovës me shoqatat e shkrimtarëve, në sallën solemne të Pallatit të Kulturës në Gjakovë. Programi do të fillojë me fjalë përshëndetëse nga organizatorët dhe përfaqësues institucionesh mbështetëse, me ç’rast shkrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria do të promovojnë librin e përkthyer nga gjuha shqipe në ate malazeze “Përtej shpresës-Amfora”të autorit malazez Dimitrov Popoviq si dhe librin e përkthyer nga gjuha malazeze në atë shqipe, “Nevidljivi ljetopis-Gjurmë të padukshme” të shkrimtarit malazez Mirash Martinoviq. Në përmbyllje të ditës së parë të manifestimit do të lexohen poezi nga shkrimtarët pjesëmarrës, me në krye, shkrimtarin, aktorin dhe regjisorin Xhevat Limani i cili orën poetike do të fillojë me poemën e pavdekshme të Nolit “Jepni për nënën! “.

Në ditën e dytë, me 7 korrik 2018, karvani i shkrimtarëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria do të pritet nga Komuna e Ulqinit-gjegjësisht, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin. Programi do të fillojë në orën 16:30 min., me c’rast do të përkujtohet krijimtaria e pasur të cilën la pas vetes shkrimtari ynë i ndjerë, Basri Qapriqi si dhe ikona e artit skenik shqiptar Xhevat Limani-themelues i Teatrit Shqiptar në Amerikë, do të performojë për të pranishmit nga mozaiku i gjerë programit të tij.

Karvani i “Muzave të Alpeve” në ditën përmbyllëse, me 8 korrik 2018, nga Bashkia e Krujës do të pritet në Sallën e Muzeut Kombtar “Gjergj Kastrioti”, në të cilën “Shoqata Rajonale e Shkrimtarëvë “TEUTA” do ta shënojë “Vitin e Skënderbeut”, fillimisht me hapjen e ekspozitës fotografike “Motive nga Kruja e Skënderbeut” të fotografit shqiptaro-amerikan Alex Selimaj. Përderisa edhe këtu aktori i shquar Xhevat Limani-Themelues i Teatrit Shqiptar në Amerikë, do të mishërohet me frymën e Gjergj Kastriotit nëpërmjet me monologun për Skënderbeun.