Sporti

Çmenduri në Zvicër, klubi më i madh zbret nga kategoria dhe tifozët zhveshin lojtarët!

05/12/2019 23:29
nga:Lorik J

Sa herë një klub i madh bie nga kategoria, është një dramë për të gjithë ata që janë mësuar ta shohin atë klub në nivele shumë më të larta.

Kështu, është i kuptueshëm dëshpërimi i tifozerisë së Grasshoppers në Zvicër, sepse klubi legjendar, 27 herë kampion i Zvicrës (rekord), ka rënë tashmë nga Superliga zvicerane, për herë të parë në 70 vite histori!

Rënia ka kohë që është bërë fakt, por tifozët nuk duan të pajtohen me këtë situatë dhe po bëjnë gjithçka për të shprehur zhgënjimin e tyre dhe për të larguar drejtuesit aktualë.

Disa javë më parë tifozët ndalën ndeshjen ndaj Sionit, ndërsa sot pas një ore lojë u ndal ndeshja Luzern-Grasshoppers, kur vendasit kryesonin 4-0 (gol e asist për Idriz Vocën, mesfushor i Kosovës).

Sipas planit që kishin bërë para ndeshjes, tifozët e Grasshoppers u afruan me rrethimin e fushës dhe kërcënuan futjen në fushë, nëse nuk ndalej ndeshja, gjë që ndodhi.

Më pas, kërkesa e vetme ishte: “Lojtarët e Grasshoppers duhet të zhvishen, të dorëzojnë te tifozët uniformën! Vetëm portieri Heinz Lindtner bën përjashtim!”.

Urdhri i ultrasve u zbatua, lojtarët dorëzuan uniformat dhe ndeshja nuk vazhdoi më. Një skandal i madh, që do t’i kushtojë rëndë Grasshoppersit.