Lajme

Çka do të ndodhë nesër në Kosovë?

02/12/2018 22:45
nga:F.B

Një mori ngjarjesh do ta karakterizojnë të martën në Kosovë.

Në mëngjes, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta presë në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie.

Takimi Thaçi-Delawie, në Presidencë, në orën 9, do të mbahet në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në të njëjtën kohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të presë në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Gjysmë ore më vonë, në Mitrovicë, do të mbahet takimi nismëtar i projektit “Krijimi i qendrave nga teoria në praktikë për inovacion dhe punësim”, i cili financohet nga Agjencia e Bashkimit Evropian, EACEA.

Në orën 9:45, në Prishtinë do të mbahet një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.

Me fjalë rasti, deputetëve do t’ju drejtohet presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Në seancë do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në orën 10, do të vazhdojë një seancë plenare e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë ditë më parë.

Në rend dite është interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupeve parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar, për kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Në të njëjtën kohë, në Vushtrri, Agjencia për Menaxhim të Emergjencave e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, Gardën e Ajovas, Ushtrinë e SHBA’së, e institucione të tjera, do të organizojnë realizimin e Ushtrimit në Tavolinë “Reagimi i Përbashkët 2018”.

Ushtrimi, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ka për qëllim ta testojë gatishmërinë e institucioneve vendore për planifikim dhe vendimmarrje për reagim dhe koordinim gjatë incidenteve të karakterit kombëtar.

Në orën 10:15, në Prishtinë, shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Alojz Peterle, do të prezantojë raportin final rreth zgjedhjeve të vitit të kaluar në Kosovë.

Në orën 11, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi do të mbajë mbledhje.

Në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Në të njëjtën kohë, në Prishtinë, Oda Ekonomike e Kosovës organizon panairin e prodhimeve vendore dhe forumin ekonomik “10-vjetori i pavarësisë ekonomike të Kosovës”. Gjatë ditës, në panair pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në orën 12:30, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të presë në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Gjysmë ore më vonë, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do të mbajë mbledhje.

Në rend dite është formimi i grupeve punuese për Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik dhe Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur.

Pasdite, Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e saj të rregullt. Mbledhja, që do të nis në orën 15, do të udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj.

02/22/2018 17:54

Përgatituni mirë, bien temperaturat