Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, u ka kërkuar mediave që të dalin jashtë sallës ku po mbahet mbledhja me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, pasi tha se kjo e fundit dëshiron të flasë për disa çështje që janë “informacion i ndjeshëm”.
Gërvalla, duke iu përgjigjur një sërë pyetjeve të deputetit të LDK-së, Kujtim Shala lidhur me përgatitjet për dialogun me Serbinë, tha se nuk mund të shpalosin gjithçka dhe se “duhet të matemi mirë” kur kamerat janë prezente.
“Kur flisni për 6 pikat e para të dialogut, nganjëherë ulem dhe mendoj: me kë janë këta njerëz, me ne apo me arushën?”, tha Gërvalla.
“Duhet të matemi mirë sepse i kemi kamerat”, shtoi ajo.
Gërvalla tha se nuk mund të tregojnë shumë detaje qysh në fillim të procesit të rifillimit të dialogut me Serbinë.
“Unë nuk i iki kësaj bisede, por një bisedë të tillë mendoj në këtë proces që jemi; kur i kemi para derës bisedat për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sinqerisht nuk do të doja. Nuk dua ta refuzoj pyetjen tuaj, por njeriu nuk i hedh të gjitha letrat në tavolinë në fillim të procesit”, tha Gërvallla.
“Duhet t’i mbajmë edhe ne disa argumente që do të jenë të vlefshme në bisedime… Unë nuk do të doja të shpalosim ne çdo detaj të çdo segmenti, të çdo etape të dialogut. Jo për ta fshehur…”, theksoi ajo.
Pastaj ndërhyri kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, duke u kërkuar mediave që të largohen.
“Zonja ministre, nëse mund të të ndërpres në këtë moment, meqë e kemi edhe një çështje tjetër që thamë se do ta bisedojmë pa kamera, ju kisha lutë mediave që të na lironi për një kohë”, tha Abazi.
Këtë tha se po e bën “pasi po preken temat që edhe ministrja konsideron se janë informacion i ndjeshëm”.
LEXO EDHE:
Qeveria Kurti tërhiqet nga Reciprociteti, thotë se është nuk është zgjidhje e problemeve