Lajme

Çitaku: Sanksionet Kosovës ia ka sjellë vetë Albin Kurti, PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së

11/29/2024 14:25
nga:Sh R

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se kjo parti do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes së VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ka akuzuar PDK-në se ka lobuar kundër largimit të sanksioneve të BE-së.

Në një konferencë për media, Çitaku ka vlerësuar se deputetja e pushtet ka njollosur dhe denigruar jo vetëm individët që i ka përmendur, por edhe PDK-në.

“Të mërkurën mbrëma deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shpifur se këta zyrtarë janë anëtari i kryesisë Bernard Nikaj dhe ish-zyrtari i PDK-së Petrit Selimi, në tentim për të njollosur dhe denigruar jo vetëm këta si individë, por Partinë Demokratike. Andaj, PDK do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes Kryeziu-Hyseni. Kosova është nën sanksione, njëjtë si Rusia dhe Bjellorusia, për shkak të Qeverisë së Vetëvendosjes”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka vlerësuar se PDK-ja vazhdimisht ka lobuar për heqjen e këtyre masave.

Sipas saj, masat ndëshkuese Kosovës ia ka sjellë vetë Albin Kurti me kryeneçësinë e tij.

“Tani, në gërhamat e fundit të humbjes së tyre, eksponentë të pushtetit, të cilët nuk e kanë bërë asnjë hap për t’i larguar këto masa, duke u përpjekur t’i ikin përgjegjësisë për izolimin ndërkombëtar që ia kanë shkaktuar Kosovës, po e atakojnë PDK-në. Përkundrazi, PDK vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, në çdo takim që zyrtarët tanë kanë pasur me përfaqësues të BE-së. Këtë apel e ka bërë edhe kryetari Memli Krasniqi në takimet e njëpasnjëshme në Bruksel, dhe në takimin me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhey”, është shprehur ajo.