Lajme

Cili ishte efekti i taksës 100 për qind për Serbinë e BeH? Flasin nga Qeveria dhe Dogana!

01/02/2019 17:30
nga:A. R.

Fushata e egër që po bënë në vazhdimësi Serbia kundër Kosovës, ka bërë që Qeveria Haradinaj të reflektojë dhe t’i përgjigjet shtet serb, që më çdo kusht po mundohet ta bllokojë Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, shkruan Gazeta Blic.

Fillimisht në javën e parë të nëntorit, Qeveria kishte marrë vendim që të vendos taksën 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Pas këtij vendimi, kryeministri, Ramush Haradinaj kishte paralajmëruar se kjo taksë edhe mund të rritet. Kështu rritja nga 10 në 100 për qind ndodhi me 21 nëntor.

Për më pak se dy muaj, kjo masë ka ndikuar pozitivisht tek bizneset vendore, e në veçanti tek prodhuesit, kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Elhami Ismajli për Gazeta Blic.

“Ministri Shala bashkë me stafin e tij janë në kontakt të përditshëm me bizneset dhe ajo që vlen të theksohet është që masa ka ndikuar shumë në bizneset vendore, sidomos tek prodhuesit. Herën e fundit kemi vizituar një kompani që prodhon letër higjienike dhe masa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ka ndikuar në rritjen e tregut për këtë prodhues dhe si rezultat janë krijuar mundësi për 20 vende të reja të punës, që automatikisht kjo ndikon edhe në zvogëlimin e papunësisë tek të rinjtë. Kjo po nënkupton që masa po e rrit edhe tregun për bizneset vendore dhe po ashtu po ndikon në rritjen e punësimit”, ka shpjeguar Ismajli për Gazeta Blic.

Kurse, nga Dogana e Kosovës, thonë se që nga hyrja në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, këto dy shtete kanë paguar mijëra euro taksë mbrojtëse.

“Prej datës 21.11.2018 deri me tani me taksë mbrojtëse 100% nga Serbia dhe Bosnja kanë paguar këto raste: Nga Serbia janë zhdoganuar 145 deklarata doganore, janë paguar 250,508.87 euro taksë mbrojtëse. Nga Bosnja janë zhdoganuar 29 deklarata doganore, janë paguar 41,085. 52 euro euro taksë mbrojtëse. Vlera e mallrave ishte rreth 290000 mije euro. Kryesisht ishin lende e pare për prodhim”, ka thënë për Gazeta Blic, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Gjithashtu, edhe pronari i kompanisë “Frutex”, nga Suhareka, Shaqir Palushi tha që taksa 100 për qind ka bërë që të rritet prodhimi.

“Vendosja e taksës 1oo për qind ka pasur impakt pozitiv, në radhë të parë të rritja e konsumit të prodhimeve vendore, për më tepër mendoj që kjo është rritje e vetëdijes të qytetarëve për mos konsum të produkteve të ardhura nga Serbia. Kjo bie në sy nëse vizitojmë marketet dhe në rafttet e tyre ende gjenden produktet serbe, kjo nuk ka qenë praktike e më hershme, pra ka ndryshuar qasja e konsumatorit ndaj produkteve serbe, kjo ndoshta edhe mund të jetë e përhershme për shkak të ndikimit të mediave, por gjithsesi taksa ka pasur efekt pozitiv dhe kjo vërehet edhe në shtimin e kërkesave për më tepër prodhim”, tha ndër tjerash Palushi për Gazeta Blic.

Kompania “Frutex”, merret me prodhimin e pijeve të frutave “Relax”, dhe pijes energjike “Golden Eagle”./GAZETABLIC./

06/17/2019 11:09

Maqedonia e Veriut nikoqire e stërvitjes ushtarake “Goditje e vendosur”