Lajme

Cilat janë detyrat shtesë të FSK-së? Flet gjenerali Rama

10/25/2018 14:45
nga:Gazeta Blic

Transformimi i FSK-së pritet të ndodhë pas leximit të dytë të tri Projektligjeve që janë votuar në lexim të parë javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë tri projektligjet të cilat pritet t’i nënshtrohen dëgjimit publik dhe rishikimit, para se të shkojnë në Kuvend për miratim përfundimtar.

Komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama, në një intervistë për KALLXO.com tregoi se çka saktësisht nënkuptojnë këto Projektligje të cilat u votuan javën e kaluar në Kuvend.

“Këto ligje e paraqesin ose dhënë detyra shtesë në ndryshimin e mandatit dhe misionit të FSK-së që rregullohet me ligj në të ardhmen për detyra shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha Rama.

“Detyra shtesë dhe kryesore që do të jetë mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës që është një detyrë shtesë dhe kërkon angazhim shtesë, qoftë në trajnime, por edhe në pajisje”, tha Rama për KALLXO.com.

Ai tregoi edhe planin për armatimin e ri të FSK-së.

“Tash pas aprovimit në fazën e dytë nga ana e parlamentit ne e kemi ndërtuar një plan të përbashkët me partnerët tanë dhe në bazë të këtij plani janë të planifikuara, zhvillimi i të gjitha njësive bazuar në prioritetet tona, ku do të fillojmë që nga ri-organizimi i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtimi Shtabit të Përgjithshëm dhe njësive me prioritet që i kemi. Prioritet i njësive është komanda e doktrinës dhe stërvitjes, ne do t`i ndërtojmë kapacitet trajnuese fillimisht që të kemi personelin e përgatitur që të jenë të gatshëm të zbatojnë misionin e ri e cila merr kohë. Kjo do kohë, nuk mund të ndërtohet brenda natës, do kohë”, tha ai.

Gjeneral Rama ka folur edhe për bashkëpunimin me NATO-n, ku përmendi se struktura dhe trajnimi i pjesëtarëve të FSK-së është bërë në kuadër të NATO-s.

“Gjithçka që kemi ndërtuar deri më tani e kemi ndërtuar mbi standardet e NATO-s. Bashkëpunimi natyrisht se do të rritet. Bashkëpunim me KFOR-in e kemi të jashtëzakonshëm dhe normalisht se këtë bashkëpunim do ta thellojmë”, tregoi Rama.

Gjenerali Rama, foli edhe për dorëheqjen e pjesëtarëve serb nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Realisht dhe fillimisht neve na vjen keq për ato që kanë ndodhur dhe shkak i largimit të pjesëtarëve serbë kanë qenë presionet që kanë ardhur nga jashtë. Presionet nuk kanë qenë vetëm mbi pjesëtarët e FSK-së, por edhe mbi familjet e tyre. Numri i saktë i pjesëtarëve serbë të larguar nga FSK, është 71, që kanë dorëzuar kërkesa për t`u tërhequr me dëshirë. Ne kemi qenë në koordinim me ta por e kuptojmë pozitën e tyre”, tha ai.

Ai tregon se janë njoftuar edhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë në lidhje me presionet që u janë bërë pjesëtarëve serb të FSK-së.

“Është e vërtetë, ne kemi kërkesa mjaftueshëm të aplikacioneve që ata janë të gatshëm të shërbejnë në Forcën e Sigurisë. Dyert tona janë të hapura kur është koha e përshtatshme ne do t`i rekrutojmë”, tha ai.

I pyetur se si do të mbrohen pjesëtarët serbë të FSK-së, nga presionet dhe kërcënimet që vijnë nga Beogradi, Rama tha se presioni është sistematik.

“Kanë pasur presione nuk është problem në atë kuptimin fizik, por problem është presioni sistematik që bëhet jo vetëm ndaj tyre por edhe familjarëve të tyre. Kurdo që janë të gatshëm ata ashtu do të jemi edhe ne”, tha ai.

Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama falënderoi pozitën dhe opozitën për votimin dhe leximin e parë të tri Projektligjeve të FSK-së.

“Ne do të jemi të përkushtuar, do të punojmë me profesionalizimin më të madh, do të jemi në koordinim me të gjithë akterëve, do të jemi shumë transparent”, tha në fund Rama.

04/16/2020 15:02

FSK-ja nuk i merr paratë që qeveria ndau për ushtarët, kërkojnë që të përdoren për nevoja tjera!