Lajme

Çfarë po ndodhë në KEK? Bie edhe Blloku A5, derisa drejtori përgjegjës Luigj Imeri tallet me deklaratat e VV-së për sabotazhe

12/30/2021 13:39
nga:Gazeta Blic

Derisa po vazhdon kriza energjetike në vend e qytetarët po përballen me reduktime të ashpra, Korporata Energjetike e Kosovës po dështon të ofrojë kapacitetet e saj nga prodhimi vendor.

Përveç problemeve në “Kosovën B” ku jashtë prodhimit e ka një bllok prej 250 megavate orë energji elektrike, tani nga sistemi ka rënë edhe “Blloku A5” i “Kosovës A”. Derisa në dy blloqet tjera, A3 dhe A4 janë paraqitur probleme teknike. Blloku A3 i “Kosovës A” aktualisht ka rrjedhje te hidrogjenit në gjenerator e po ashtu edhe ne Blloku A4 ka rrjedhje dhe telashe të tjera teknike.

E përkundër kësaj që qytetarët po përballen me reduktime të shumta deri në 8 orë në ditë minimumi, njëri nga përgjegjësit kryesor të Korporatës, Luigj Imeri që është drejtor Operativ i KEK-ut, gjen kohë të tallet në FB duke ironizuar me deklaratat e zyrtarëve të VV-së.

Ai dje ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook duke publikuar një fotografi në KEK me mbishkrimin “Unë dhe sabotuesi”.

Ky ironizim është bërë duke iu përgjigjur të gjithë atyre që kritikuan se problemet në KEK janë për shkak të sabotazhes që po bëhet aty.

Luigj Imeri në vitin 2019 u emërua nga kryeministri Albin Kurti, kryeshef ekzekutiv i KEK-ut. Kurse tani pas marrjes së pushtetit për herë të dytë, qeveria Kurti ka emëruar kryeshef ne KEK, Nagip Krasniqin, i afërt me partinë Vetëvendosje.

E ishte ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ajo qe e para ngriti dyshimet për sabotozh në KEK.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ministrja e Ekonomisë, ka thënë se përflitet se ka pasur raste, kur është ndalur me qëllim prodhimi i rrymës në blloqe për interesa të caktuara.

Sipas saj, një gjë e tillë ka mundur të ndodh edhe gjatë verës dhe siç thotë ajo ka pasur raportim në polici për këtë çështje.

“Ka pasur raste në të kaluarën kur është përfolur që edhe për arsye se dikujt i konvenon që blloku të ndalet e të ndizet prapë për shkak të lëndës së parë që duhet të blihet shtesë, përflitet ose janë thashetheme që nuk mund t’i them me saktësi, që janë ndalë blloqet për shkak të neglizhencës, ose gabimit njerëzor me qëllim, ka ardhur deri te ndalja e një blloku në mënyrë që të ketë përfitime të tilla. Ne në fakt kemi pasur një dyshim, në radhë të parë te Bordi i KEK-ut, që një gjë e tillë ka mundur të ndodhë edhe gjatë verës dhe ka pasur raportim në polici dhe në hetuesi në të kaluarën”, ka deklaruar Rizvanolli.

Gazeta Infokus ka raportuar të mërkurën edhe për problemet me dy blloqet e tjera të ‘Kosovës A’, blloku A3 dhe A4.