Opinion

Çfarë po ndodh me Kosovën, asnjë trajner nuk po pranon të marrë drejtimin e Përfaqësueses

10/26/2017 12:16
nga:Lum Haliti

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbetur pa një selektor, derisa disa trajnerë kanë refuzuar të marrin drejtimin e saj.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ende nuk e ka gjetur zëvendësuesin e Albert Bunjakut, pas largimit të tij nga roli i selektorit më herët në muajin tetor, shkruan Gazeta Blic

Epokës tetë-vjeçare të Albert Bunjakut te kombëtarja i erdhi fundi, me ndeshjen ndaj Islandës, e cila ishte e fundit për Kosovën në kualifikueset e Botërorit.

Bunjaku u emërua kryetrajner në qershor të vitit 2009, duke e drejtuar në gjithsej 18 ndeshje Përfaqësuesen – 10 prej tyre të vlefshme për kualifikimet e Botërorit “Rusi 2018”.

Në kualifikueset e Botërorit, Kosova nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 në përballjen e parë të zhvilluar ndaj Finlandës, duke e mbyllur me humbje aventurën e Botërorit, të nëntën humbje të pësuar në 10 ndeshje të luajtura.

Kjo ecuri e Përfaqësueses la të pakënaqur FFK-në dhe Fadil Vokrrin, i cili në fillim të muajit shtator mori vendimin që ta largojë Bunjakun nga detyra e selektorit.

Pasi u konfirmua se Bunjaku do të përshëndetej me Kosovën pas dy ndeshjeve të mbetura kualifikuese – atë ndaj Ukrainës dhe Islandës, u përfol se trajner i Kosovës me shumë gjasë do të jetë një i huaj, derisa si favoriti shihej slloveni Srecko Katanec.

Por, Katanec refuzoi të marrë drejtimin e Përfaqësueses, duke thënë se dëshiron të pushojë deri në qershor ose korrik të vitit 2018.

Trajneri turk Fatih Terim poashtu përflitej si një opsion për pasuesin e Bunjakut, derisa së fundmi, mundësinë e drejtimit të Përfaqësueses e hodhi poshtë edhe legjenda gjermane e futbollit, Lothar Matthaus, i cili këtë të mërkurë konfirmoi se nuk ka gjasa që ai të bëhet trajner i Kosovës.

Kurse, në anën tjetër, FFK-ja ka bërë të ditur se janë disa trajnerë të cilët shihen si opsione për postin e përzgjedhësit, derisa emri do të bëhet i ditur në muajin dhjetor të këtij viti.

Kosova tashmë ka më shumë se dy javë që ka mbetur pa një selektor, derisa Vokrri më herët ka konfirmuar se trajneri i përkohshëm është ish-asistenti i Bunjakut, Muharrem Sahiti, i cili do të jetë në krye të Përfaqësueses për ndeshjen e radhës.

Përfaqësuesja si kundërshtar të radhës do ta ketë Letoninë në miqësoren e cila do të zhvillohet në Mitrovicë më 13 nëntor. /Gazeta Blic/

11/16/2017 14:57

Muharrem Sahiti – Përfaqësuesja e Kosovës, lajmi i fundit befasi