Lajme

Çfarë i thanë emisarët e BE-së Thaçit e Haradinajt, për Gjykatën Speciale?!

01/11/2018 10:42
nga:Diamant Bajra

Inciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale bëri që dy të dërguar të posaçëm të Evropës Jug-perëndimore, Christian Hellbach minister i Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe shefi i Departamentit për Ballkan dhe Evropë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Thomas Bertin të realizojnë takime të ndara në orët e mbrëmjes së djeshme me Presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj.

E për të dy këto takime as nga presidenca por edhe as nga qeveria nuk kanë pranuar të deklarohen.

I kontaktuar nga “Gazeta Blic” Ardian Arifi, këshilltar i Presidentit Thaçi ka refuzuar të flasë lidhur me këtë çështje duke thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse është përgatitur ndonjë komunikatë për media.

Nuk kam çfarë të thëm unë. Nuk e di nëse zyra për informim ka përgatitur ndonjë komunikatë për media”, tha ai.

Ndërsa Avni Arifi, këshilltar politik i Kryeministrit Haradinaj nuk pranoi të jap detaje nga takimi me emisarët e BE-së, me arsyetimin se kanë pasur një koordinim të tillë me ta që të mos deklarohen.

Të dërguarit të posaçëm të Evropës Jug-perëndimore kanë kërkuar nga ne që të mos deklarohemi lidhur me takimin e zhvilluar mbrëmë, megjithëse dihet arsyeja e takimit, pra Gjykata Speciale”, tha Arifi për “Gazeta Blic”.

Ndërkohë një burim i “Gazeta Blic” brenda qeverisë ka deklaruar se kërkesa të dërguarve special ishte zmbrapsja e krerëve shtetëror nga nisma për shfyqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, me kushtin që vendi të mos jetë larg anëtarësimit në BE.

“Zyrtarët ndërkombëtar i kanë bërë thirrje kryeministrit Haradinaj, që të anulohet çdo përpjekje për ndalimin e Gjykatës Speciale, në atë mënyrë që Kosovës të mos i mbyllen dyert e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë ky burim, raporton GazetaBlic.com

Në takimet emisarëve të BE-së i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Amerikës, Greg Delawie.

Ditë më parë shtetet e Kuintit kanë shprehur shqetësimin e thellë me përpjekjet në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, përkatësisht Dhomave të Specializuara.

“Jemi thellësisht të shqetësuara me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Aty shprehet shqetësimi edhe në lidhje me vendimin e Presidentit të Koosvës për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Ata ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001 dhe ishin dënuar me nga 30 vjet burgim.

“Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në teritorin e saj”, thuhet në deklaratë, e cila u është shpërnda mediave nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Reagimi i tyre ka pasuar nismën e një grupi të deputetëve të Kosovës për të shfuqizuar Gjykatën Speciale për krime lufte. Kjo nismë nuk është kundërshtuar as nga liderët e institucioneve qendrore.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty./Gazeta Blic/

06/20/2018 12:27

Vjosa Osmani: Hashim Thaçi nuk mund t’i udhëheq bisedimet, në fazën finale me Serbinë