Lajme

Certifikimi i rezultatit zgjedhor, i varur nga ankesat e partive politike

11/25/2019 13:48
nga:B. D

Asnjë subjekt politik nuk i është drejtuar deri më tani Gjykatës Supreme të Kosovës, pas përfundimit të rinumërimit të 1407 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci. Afati prej 24 orëve për ankesa skadon sot.

“Rinumërimi është përmbyllur në orën 14:00 të ditës së diel, prandaj duhet të presim afatin ligjor 24 orësh nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ndërkohë, në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të dielën pas dite, ka arritur një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas Mul Deskut, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shumë shpejt PZAP do të dalë me vendimin në lidhje me këto ankesa të Vetëvendosjes.

“Subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje ka kontestuar dy fletëvotime nga vendvotime të ndryshme”, tha Desku.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të dielën ka hedhur si të papranueshme një kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje për verifikim dhe rinumërim të 392 pakove me fletëvotime nga diaspora të ardhura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 12 nëntor.

Pas vendimit të PZAP, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë të ankohet edhe në Gjykatën Supreme.

Edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje i ishte adresuar Gjykatës Supreme për votat e ardhura nga diaspora pas afatit të paraparë ligjor, pasi PZAP kishte hedhur poshtë ankesat për t’i numëruar të njëjtat. Supremja, në fund të muajit tetor, kishte urdhëruar KQZ-në që të numërojë dhe të fusë në rezultatin zgjedhor rreth 5 mijë vota të ardhura jashtë afatit ligjor (5 tetor, 2019) nga jashtë.

Çështje tjetër që ka mbetur pezull në këtë proces është se koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë, ku konteston vendimin e Gjykatës Supreme të 30 tetorit, ku u urdhërua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të numërojë dhe të përfshijë në rezultatin përfundimtar zgjedhor rreth 5 mijë vota të diasporës, që kishin ardhur në Kosovë jashtë afatit ligjor.

Në ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, kërkohet nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij vendimi të Supremes.

Koalicioni Nisma-AKR-PD po ashtu kërkon që Kushtetuesja të vendosë pro masës së përkohshme pasi sipas këtij koalicioni, mosvënia e një mase të tillë “mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm dhe është në interes të publikut”.

“I vetmi institucion që mund të pengojë një arbitraritet të mëtutjeshëm është Gjykata Kushtetuese, e cila ka tagër për vënien e masës së përkohshme ndalim certifikimin e zgjedhjeve deri në një vendim përfundimtar të saj lidhur me kërkesën kryesore të përshkruar si më sipër”, thuhet në ankesën e Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor. Sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet kaluan të qeta dhe ishin në harmoni me standardet demokratike.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti po mëtojnë që ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës. Përfaqësuesit e këtyre dy partive kanë thënë se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

11/25/2019 11:25

S’ka ankesa në PZAP, KQZ publikon sot rezultatet