Lajme

“Çele guri gojën”: Haziri e Veliu, pos që nuk morën pjesë në Kryesi, nuk e thanë asnjë fjalë për kandidatin për kryeministër

08/25/2019 01:01
nga:Gazeta Blic

Agim Veliu e Lutfi Haziri, që konsideroheshin si dy nga njerëzit më me ndikim në LDK, pos që ditën e shtunë nuk morën pjesë në mbledhjen e Kryesisë, ata nuk e thanë as edhe një fjalë për emrin e kandidatit për kryeministër.

Gazeta Blic ka provuar disa herë gjatë ditës së shtunë të marrë një deklaratë nga Veliu e Haziri për mungesën në mbledhjen e Kryesisë, ku pritej nominimi i kandidatit për kryeministër, por ata nuk kanë qenë në dispozicion.

Madje, ata nuk e shkruan asnjë rresht as në rrjetet sociale për këtë punë dhe për mospjesëmarrjen në mbledhje.

Gazeta Blic gjatë ditës ka raportuar se dyshja Veliu- Haziri nuk kanë marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë, për shkak se nuk po duan që Vjosa Osmani të nominohet si kandidate për kryeministre.

Siç ka raportuar gazeta, ata nuk po pajtohen me faktin që kreu i partisë, Isa Mustafa ka nisur ta shoh profilin e kandidatit për kryeministër tek Vjosa Osmani.

Në anën tjetër, Haziri disa herë ka shfaqur ambicie që do të jetë kandidati për kryeministër, por që gjatë të shtunës ka qenë totalisht i heshtur.

Ndërkohë, burime të Gazetës Blic thonë se kandidat serioz dhe konsensual, po shihet emri i Kujtim Shalës, megjithëse Vjosa Osmani i ka gjasat shumë më të mëdha.

Pasi që dje dështoi nominimi i kandidatit për kryeministër, për shkak të “bllokadës” nga Haziri e Veliu, pritet që të hënën të marrë fund edhe kjo çështje.

Gazeta Blic gjatë ditës raportoi se Kryesia ka vendosur që tru kritere t’i përmbush kandidati për kryeministër.

Detajet i gjeni në link:

Kryesia e re e LDK-së vendosi sot: Këto janë tri kriteret që duhet t’i plotësoj profili për Kryeministër