Opinion

Causa Anton Çetta

07/08/2018 12:10
nga:Leonard Komani

Njëra palë do me çdo kusht bustin e profesorit pajtues para Institutit Albanologjik. Tjetra refuzon këtë kategorikisht. Argumentet janë aq qesharake dhe joreale, maska që shkrihen shpejtë, saqë turpi rrezikon të përmbys respektin ndaj njërit nga humanistët më të mëdhenj të kohës sonë të re shqiptare. Kush e ka nevojë këtë?

Leonard KOMANI

Pas dy viteve pauzë u rindez sërish debati rreth (mos)vënies së bustit të profesorit të ndjerë Anton Çetta para Institutit Albanologjik të Prishtinës. Palët e involvuara në konflikt kanë nga arsyetime apo refuzime të llojllojshme, gjë që e bën ngatërresën publike edhe më të komplikuar dhe lë vend për spekulime e teori të ndryshme komploti. Ç’ thonë njëra e tjetra palë, respektivisht ç’ “argumentesh” peshkuam nga ky diskutim i zjarrtë në mbrojtje apo në refuzim të personalitetit të profesorit, të njohur si filozof i pajtimit shqiptar Anton Çetta? I rendisim disa më të frekuentuarat.

Ata që janë pro instalimit të bustit para IAP-ës thonë:

  • Stafi aktual do që me çdo kusht IAP të mbaj emrin e Rexhep Qosjes, për këtë arsye pengon aksionin.
  • Shumica e nëpunësve të sotëm të IAP-së janë ithtarë të klanit të ashtuquajtur orientalo-islam të UP-së dhe institucioneve tjera arsimore dhe bëjnë çmos që atyre mos u mbesën emra jomysliman.
  • Emri i Anton Çettës është bërë simbol i pajtimit brenda kombëtar shqiptar dhe si i tillë u pengon atyre që e mallkojnë këtë trend të nxitur nga ai, ngase qenkan nostalgjik jugosllav.

Ata që janë kundër instalimit;

  • Mohojnë kategorikisht që refuzimi të ketë konotacion religjioz.
  • Pedagogë të vetë Institutit që marrin pjesë në polemikë thonë se i ndjeri Çetta nuk ka bërë diçka për shkencën (albanologjinë aludojnë) saqë të vihet busti i tij aty.
  • Sidomos nga rrethi i “ish- krahut të Luftës” thonë se LDK e bën gjithë këtë shantazh për ta para eliminuar Rexhep Qosjen nga kujtesa, edhe pse ai ishte njëri nga shtyllat kryesore të Institutit. Parti kjo që me çdokush donë primatin në institucionet e dijes.

Këto janë – pa futur në listë edhe ato “arsyetimet” nga më banalet – pandehjet, spekulimet, akuzat dhe apologjitë në vija të trasha që mbizotërojnë polemikën. Para se të konstatojmë se ç’është absurde e çka mund të qëndronte në këtë aferë, para se ta përshkruajmë jetën dhe veprën të ndjerit Çetta le të themi sa më shkurtë se ç’është Albanologjia: ajo është shkencë, e cila merret me gjuhën, traditën, folklorin,  dhe historinë kulturologjike të shqiptarëve. Në komunizëm ajo u vu në interes komplet të Historisë së Letërsisë, Politikës aktuale dhe vetë “poetëve”, kështu duke neglizhuar disiplinat bazike të saj si hulumtimi i gjuhës, dialekteve, folklorit e të studimeve të llojit.

Anton Çetta ka botuar mbi 16 vepra. I lindur në Gjakovë i shkolluar në Tiranë, Liceun e Shkodrës dhe në Itali pas punëve për kafshatë, menjëherë pas “çlirimit” emërohet profesor i gjimnazit në Prizren. Aty udhëheq SHKA-në “Agimi”. Pasi mbarimit të studimeve në vitin 1950 bëhet asistent i Seminarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit. Pas hapjes së Universitetit të Prishtinës aty ligjëron gjuhën, letërsinë e vjetër dhe gjuhën latine. 16 librat që i përmendëm në janë përmbledhje, gjetje e studime folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Kjo biografi çka na thotë që në këto vija të përgjithshme: Nëse dikush vërtete ka bërë shkencë bazë albanologjike në atë institut atëherë është pionieri i saj, ai të cilit i refuzohet busti aty. Nuk mund të quhen shkencë albanologjike monografitë për prodhimin letrar të kësaj apo asaj epoke, trajtesat politike aktuale apo rreth klaneve kulturore e të mos quhet albanologji dëshmimi i historik i gjuhës, folklorit dhe antropologjisë shqiptare. Shikuar nga ky këndvështrim arsyetimi se instituteve duhet vënë “emra shkencëtaresh” del maskë e pamenduar sa duhet – motivi patjetër të jetë tjetër.

Nëse emrat e institutit duhet të kenë edhe ndonjë kapital tjetër sublim përveç atij thjesht shkencorit, pra të jenë simbol edhe i ndonjë kontinuiteti, koherence dhe historie praktike në favor të mbajtjes lidhur të të mirave historike e aktuale të asaj “albanologjie” – kush bëri në këtë drejtim më shumë se kryetarit të “Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve”, i cili lidhte e pajtonte popullin e “albanologjisë” në kohën më të ndjeshme të tij?

Kur heqim këto arsyetime si të kota, çka mbetet atëherë për ta trajtuar këtu: se LDK bën kampanjë kundër Qosjes? Kush e paska vendosur që për të gjallë të tij që instituti të ketë emrin e tij? Dhe pse LDK beson se institutet të jenë pronë e saj private? Apo vërtet shumicës aty u pengon emri jomysliman i Anton Çettës? Cilido prej këtyre versioneve të qëndrojë është turp i padurueshëm i një shoqërie të shekullit 21 që sapo fitoi lirinë. Dhe patjetër të jetë ndonjëri prej këtyre idiotësirave arsyeja e vërtetë që përbën refuzimin e vënies së bustit të Pajtuesit para IAP-së. Nuk ka argumente tjera racionale që mund ta shpjegosh këtë aferë kaq neveritëse.

Në pamundësi që ky problem të zgjidhet nga vetë instituti e nga polemika që rrezikon të zgjas pafundësisht institucione tjera të vendit duhet ta zgidhin këtë problem. Po pritën nga ata brenda, që s’kanë kohë të merren me albanologji ngase merren me doktrina tjera më levërdisëse konflikti do të vazhdoj dhe fyerja ndaj personalitetit të Anton Çettës do të eskalojë. Njeri, akademiku dhe humanisti ndër më të mëdhenjtë e kohës sonë nuk e ka merituar këtë sjellje të shtetit dhe shoqërisë kosovare!

08/18/2018 19:05

Një medaljon lufte për çdo kosovar!