Seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore në Gjykatën Themelore të Prishtinës dështoi të mbahet.
Ndërkohë, seanca u shty për datën 13 janar 2026, pasi ministrja Rozeta Hajdari dhe avokati i të akuzuarit Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm.
Avokati Asdren Bytyqi, në FIVE kritikoi mënyrën se si është trajtuar procesi brenda ministrisë dhe qasjen ndaj rezervave shtetërore, teksa ka thënë se aktakuza në këtë rast është ndër më të kompletuarat që ka parë deri më tani në punën e tij si avokat.
Bytyqi tha se Prokuroria Speciale ka siguruar prova që tregojnë se afaristi Ridvan Muharremi ka qenë i përfshirë në komunikime dhe informacione sekrete, të cilat ai nuk ka pasur të drejtë t’i posedojë.
“Pikërisht për këtë shkak njëri nga zyrtarët e ministrisë ka një akuzë shtesë për zbulim të informacionit sekret. Sepse nuk e ka pasur certifikatën e sigurisë Ridvan Muhamrremi, për të pasur informacion se ku do të jenë depot e këtyre mallrave, rezervave shtetërore që i kanë blerë. Dhe prokuroria ka sjellë fakt edhe nga komunikimet me mella që ka qenë i përfshirë edhe zoti Ridvan Muharremi. Që rrjedhimisht, automatikisht janë realizuar elemente e veprës penale”, ka thënë Bytyqi.
Sipas Bytyqit, ky rast është një shembull i qartë se si pushteti është trajtuar si pronë private, duke anashkaluar procedurat, ligjet dhe standardet e sigurisë.
“Në këtë rast tregon që këta nuk i kanë respektuar ligjet dhe e kanë marrë një farë komoditet, që e kemi marrë pushtetin, janë njerëzit tonë të besnik. Ne me njerëz tonë besnik qoftë me zyrtarë, këshilltar ne i kryejmë këto punë për ta mbrojtur interesin e shtetit. Por kjo ka kosto. Dhe kjo duhet të jetë mësim që shteti nuk është i babës. Që të sillemi si dojmë ne që i kemi 50 për qind. Por shteti ka obligim, ka përgjegjësi dhe ka ligje. Dhe krejt ato ligje janë për mbrojtjen e interesave të shtetit, e jo për mbrojtje të interesave të partie politik. Nuk do të duhej që zoti Ridvan Muharremi, ata duhej ta dinin ligjet që nuk duhej t’i dinte këto informacione sepse nuk e ka pasur certifikatën e sigurisë”, ka shtuar Bytyqi.
Ndërkohë, procesi gjyqësor u shty për datën 13 janar 2026, pasi ministrja Rozeta Hajdari dhe avokati i të akuzuarit Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm.
Hajdari mohoi të ketë pranuar ftesë nga gjykata, ndërsa institucioni gjyqësor deklaroi se përgjigja e fletëkthesës ende nuk ka mbërritur.
Hajdari, Lipovica, Gara dhe Muharremi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Prokuroria pretendon se gjatë vitit 2022, përmes një skeme blerjeje të vajit dhe grurit jashtë vendit, mallra që nuk mbërritën kurrë në Kosovë, është shkaktuar dëm prej rreth tre milionë eurove buxhetit të shtetit.



