Uncategorized

Bytyqi: Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së nuk ka për qëllim t’i ndajë “tradhtarët dhe heronjtë” e luftës

08/10/2020 21:51
nga:N.K

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyqi ka thënë se Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka të bëjë me individët e caktuar.

Bytyqi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ia cenon askujt lirinë e shprehjes.

“Ne kemi nevojë ta normojmë edhe pjesë të luftës”, tha ai.

Deputeti i PDK-së thotë se ligji në fjalë nuk lidhet me Gjykatën Speciale dhe sipas tij e gjitha është e rastësishme.

“Është frikë e ambasadorëve po ligji është nisur më herët se proceset që lidhen me Gjykatën Speciale”.

Bytyqi thotë se PDK është e hapur për çfarëdo vërejtje për Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ta bëjmë ligjin sa më të mirë të mundshëm pasi po flasim për luftën. Më së paku dëshirojmë që ky ligj të interpretohet sikur po dëshirojmë t’i ndajmë “tradhtarët dhe heronjtë” e luftës”, tha ndër të tjera Gazmend Bytyqi që është edhe iniciues i projektligjit në fjalë.

“Qëllimi i ligjit nuk ka të bëjë me personat por me procesin”, shtoi tutje Bytyqi