Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli ka mbetur shumë i zhgënjyer nga kombëtarja e Kosovës dhe dështimi që ‘Dardanët’ kishin në kualifikueset për kampionatin Evropian.
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka zhgënjyer të gjithë me paraqitjet në kualifikueset për kampionatin evropian, Euro2024. Kosova e mbylli grupin në vendin e parafundit, pavarësisht se objektivi ishte kualifikimi.
Në një prononcim për dokumentarin e GazetaBlic, “Expose”, Sokoli ka potencuar se nuk ka pritur këto rezultate dhe se duhet të ketë ndryshime të brendshme pas këtij dështimi.
“Pas tërheqjes së shortit, të gjithë kemi qenë optimistë në saje të cilësisë që ka Kosova dhe grupit që ka. Nga vlera e ekipit, ne kemi qenë në vendin e dytë pas Zvicrës dhe realisht është dashur që Kosova të jetë në vendin e dytë në tabelë dhe që të kualifikohet. Rezultatet e Kosovës në grup nuk i ka pritur askush, prandaj është një debakël me të cilin duhet të ballafaqohemi nëse dëshirojmë me e ndryshu. Krejt këto rezultate janë si rezultat i mosfunksionimit të mirë të ekpit në grup. Kemi shkarkimin e Challandes, shkarkimin e Giresse, emërimin e Glihas si trajner të përkohshëm kanë ndikuar që brenda grupit të ketë shumë përçarje. Pastaj shumë deklarata të nivelit të ulët të komunikimit kanë bërë që kjo të refelektoi në grupin e këtyre futbollistëve, të cilët janë shumë cilësorë. Kemi pasur probleme në formacion, në ndeshje vendimtare dhe pozita e parafundit ka qenë e paevitueshme pas krejt kësaj çfarë ka ndodhur. Edhe nëse jemi munduar ta kritikojmë këtë gjë, ne jemi shpallur si padëshirueshëm, si njerëz që nuk e dojnë përfaqësuesen tonë. Ky është edicioni i katërt që dështojmë të kualifikohemi, prandaj është koha që të ketë ndryshime të brendshme”, tha fillimisht Bylbyl Sokoli për ‘Expose’.
Më pas, Sokoli potencoi se tek FFK duhet reforma, pasi duhet afruar njerëz ekspertë dhe trajner që e njohin grupin, e jo siç kemi vepruar më herët me persona jo-adekuat.
“Nuk jam për dorëheqje, jam për reforma dhe riorganizim cilësor. Për të funksionuar mirë përfaqësuesja shtetërore, unë mendoj se duhet të punohet të gjitha ekipet e ekspertëve që ekzistojnë brenda. Aty duhet të jenë grupi i mjekëve, grupi i sociologëve, duhet të ketë eskpertë për organizimin e ndeshjeve, ekspertë për mbikëqyrjen e talentëve. Pra, nuk jam për dorëheqje, por për riorganizimin e grupeve profesionale që janë brenda Federatë, që të mos vie tek ajo që Giresse të mos e njeh Zhegrovën, kurse Gliha të mos e njeh Arbër Hoxhën, pra vijnë seleksionues që nuk i njohin futbollistët, por ata duhet që dikush t’i informojë. Mendoj që FFK-ja ka grupe të tilla të ekspertëve, por pse nuk po funksionojnë unë mendoj që duhet një ngritje e nivelit që këto grupe profesionistësh të shfrytëzohen. Deri më tash pak kemi parë ndikimin e tyre, por sido që të jetë besoj që në kualifikimet e ardhshme këto probleme duhet të evitohen”, përfundoi Sokoli.
/GazetaBlic