• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Burjani: PDK nuk është 100% kundër koalicionit me VV’në

07/05/2025 21:47
nga:Genita C

Blerim Berjani, analist politik, ka komentuar situatën e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).

Ai ka theksuar se Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së, nuk ka qenë kurrë i pajtimit me zgjedhjen e Memli Krasniqit si kryetar të partisë, duke e parë këtë si një çështje të tij personale dhe jo si një problem të lidhur me marrëdhëniet e PDK-së me VV-në.

Sipas tij, qëndrimi i Hoxhajt është reflektim i një përpjekje për të ruajtur konsistencën brenda partisë.

“Enver Hoxhaj, nuk është pajtuar as kur është zgjedhë Memli Krasniqin herën e parë si kryetar i PDK-së, as tash. Është një çështje e tij që nuk ka të bëjë asgjë me raportin e PDK-së dhe VV’së, ata janë shumë të qartë, PDK dhe VV janë kundër një koalicioni me njëra tjetrën”, tha Burjani.

“PDK nuk funksionon ashtu sic po thonë shpesh, ata kanë shtylla dhe ndikime nga jashtë. Memli Krasniqi është një “instrument” që kryen punë për të gjithë, por nuk e luan liderin e PDK-së edhe pse është. Ai mundohet ta ketë mirë me të gjithë, por në Kosovë është e vështirë të mbahet kjo”, shtoi ai.

Berjani ka theksuar gjithashtu se PDK nuk është plotësisht kundër mundësisë së një koalicioni me VV-në, por ka vënë në dukje se problemi kryesor është që VV-ja ka deklaruar publikisht se nuk është e interesuar për një marrëveshje me PDK-në. Kjo ka bërë që PDK të marrë një qëndrim të ngjashëm, duke e bërë të vështirë çdo mundësi bashkëpunimi.

Sidoqoftë, Berjani ka lënë hapësirë për mundësinë që nëse VV-ja ndryshon qëndrimin e saj dhe tregon gatishmëri për të bashkëpunuar, PDK mund të hapë mundësinë e një koalicioni.

Ai theksoi se gjithçka varet nga ndërrimi i qasjes dhe marrëdhënieve mes dy partive, duke sugjeruar se ndryshimet mund të sjellin një mundësi për përmbylljen e një marrëveshjeje.

“PDK nuk është 100% kundër koalicionit me VV-në, por problemet i ka VV’ja që publikisht po deklaron se nuk është e interesuar për këtë koalicion, kjo po e detyron PDK-në që të thonë se as ata nuk janë të interesuar”, tha ai.

“Nëse VV’ja ka mirëkuptim dhe ndërron qasjen, mendoj se PDK-ja hyn në koalicion me ta”, thotë Burjani për Expose.