Kryetari aktual i Komunës së Podujevës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për edhe një mandat, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar bilancin e punës gjatë pesë viteve të qeverisjes lokale, duke theksuar investimet e mëdha infrastrukturore dhe transformimin e qytetit.
Sipas Bulliqit, qeverisja e tij nisi me projekte të trashëguara, të cilat u finalizuan dhe pasuan me investime shumë më të mëdha dhe më të rëndësishme për qytetarët.
“Me marrjen e mandatit tonë, çka është shumë e rëndësishme, e kemi gjetur të filluar projektin e punimeve për sheshin në Podujevë dhe tashmë është i jetësuar. Prej projekteve të para që kemi bërë ishte fasadimi i banesave, ndërrimi i kulmeve, pastaj kemi filluar me projekte të mëdha,” tha Bulliqi.
Ai nënvizoi se gjatë këtij afati 5-vjeçar, janë realizuar investime në vlerë prej rreth 250 milionë euro, duke përfshirë një gamë të gjerë projektesh publike dhe infrastrukturore.
“Po e përmbyllim këtë afat 5-vjeçar me të arritura të jashtëzakonshme, me rreth 250 milionë euro investime,” theksoi ai.
Ndër projektet më të rëndësishme të përmendura janë:
Stacioni i ri i autobusëve
Tregu i gjelbër
Qendra multifunksionale
Rrjeti i ri i ndriçimit publik dhe asfaltimi i rrugëve
Bulliqi foli edhe për investimet në arsim dhe kujdesin ndaj fëmijëve, duke veçuar zgjerimin e rrjetit të çerdheve publike.
“Ajo çka mund të mburremi me qeverinë tonë është fakti që e kemi gjetur Podujevën dhe Llapin me një çerdhe publike, por tash po e mbyllim mandatin tonë me tetë të reja dhe planifikojmë që gjatë viteve në vazhdim t’i bëjmë edhe 14 të tjera,” tha ai.
Një ndër projektet më ambicioze që ai përmendi është ndërtimi i një akumulacioni për furnizim me ujë të pijshëm, me vlerë rreth 60 milionë euro, që do të zgjidhë çështjen e ujit në Podujevë për disa dekada.
“Kemi edhe projektin për ndërtimin e akumulacionit të ujit, i cili do e zgjidhë problemin e ujit të pijshëm. Është planifikuar një investim prej 60 milionë eurosh, ku bëhet pastrimi i ujit dhe me këtë, Podujeva do ta zgjidhë problemin e ujit të pijshëm së paku deri në vitin 2065,” tha Bulliqi në Expose, prodhim i GazetaBlic.
Intervista e plotë:


