Lajme

Bujqitë e Suharekës nuk kompensohen për dëmet nga vërshimet e gushtit!

12/06/2018 11:58
nga:Gazeta Blic

Ndonëse kanë kaluar rreth katër muaj nga koha kur reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në çdo fshat të Suharekës, bujqitë e kësaj komune ende nuk janë kompenzuar për dëmin e shkaktuar. Kjo, pasi që Komuna e Suharekës ka vendosur që të kompenzoi vetëm dëmet në amvisëri.

Kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, ka thënë për “Gazeta Blic” se për shkak të fondeve jo të mjaftueshme për situata emergjente, Komisioni për Vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet, i përbërë nga të gjitha subjektet politike, ka konsideruar se kompenzimi në amvisëri ka qenë me nevojë emergjente.

“Komisioni i përbërë nga të gjitha subjektet politike, për kompenzimin e dëmeve gjatë asaj periudhe që kanë ndodhur vërshimet, ka konsideruar se kompenzimi në amvisëri ka pasur nevojë më emergjente, duke pas parasyshë se kemi pasur edhe fonde jo të mjaftueshme, mirëpo pa e anashkaluar se nevoja për kompenzim ju duhet edhe te sektori i bujqësisë”, tha Muharremaj.

Megjithëse e thekson faktin se vlera e dëmve në sektorin e bujqësisë dhe biznesve ka qenë e madhe, Muharremaj, mohon se tani për tani mund t’iu ofrojnë kompenzim atyre, por thotë se një gjë e tillë do të ndodh në të ardhmën, por pa dhënë afat të caktuar. E për realizimin e këtij synimi, kryetari i Suharekës, thotë se ka marrë zotime edhe nga ana e institucioneve qeveritare.

Ndryshe, gjatë vërshimeve që ndodh në gusht të këtij viti u raportua për tetë persona të lënduar, të cilët kanë marrë tretman mjekësor. Aty ka ndërhyrë edhe FSK dhe Kryqi i Kuq. Ndërkohë, është vlerësuar se dëmet materiale nga kjo katastrofë natyrore kanë kaluar shifrën 6 milionë euro./Gazeta Blic/