Çështja e Afganistanit ka qenë në krye të agjendës së SHBA por edhe në Evropë. Zyrtarë të lartë të BE-së thonë se unioni duhet të forcojë kapacitetin e vet ushtarak.
Kolapsi i qeverisë së Afganistanit, marrja e kontrollit të vendit nga talebanët dhe operacionet për evakuimin e qytetarëve evropianë si dhe punonjësve afganë kanë nxjerrë në pah varësinë e bllokut nga trupat amerikane.
Mes thirrjeve për autonomi strategjike nga një vend jo-anëtar si Shtetet e Bashkuara, shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell tha se nga situata në Afganistan duhen nxjerrë leksione.
“Ne pamë në Afganistan se aftësitë tona nuk janë aq sa kishim imagjinuar. Ne ishim të varur nga amerikanët dhe diskutimet e sotme do të përqendrohen në nxjerrjen e përfundimeve të duhura. Afganistani është një fund i hidhur, një humbje e thellë “.
Pa mbështetjen e amerikanëve, vendet evropiane nuk do të ishin në gjendje të garantonin kalimin e sigurt të qytetarëve të tyre.
Më herët Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë bërë thirrje për krijimin e një ushtrie të vërtetë evropiane. Kjo ide duket se po fiton mbështetje gjithnjë e më shumë sidomos pas asaj që ndodhi në Afganistan.