Opinion

Blof me numra

A. R.A. R.

Shkruan: Kujtim Robelli

Ekonomia nuk është dhe nuk duhet të jetë thjeshtë metodë kalkulimi numrash.

Statistikat, kuotat dhe përqindjet janë instrumente dhe indikatorë që ndihmojnë në matjen e trendeve ekonomike.

Ato janë modele që e thjeshtëzojnë realitetin për ta bërë atë me të kuptueshëm dhe për të ndihmuar në vendimmarrje politikën.

Por, ato kurrë nuk janë vetë realiteti. Për të qenë realitet, në formulat e tyre u mungojnë shumë faktorë dhe mbi të gjitha ju mungon sensi human. Këtë më së miri duhej ta dinte një Ministër i Financave i një Qeverie që pretendon se është e majtë.

Ministri i Financave Besnik Bislimi pretendon se brenda afro 50 ditëve në pushtet është arritur të ulet papunësia në Kosovë, përderisa e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID-19 e cila pritet të shkaktojë një ndër recenzionet më të mëdha.

Ministri Bislimi është tregu mjaftë i mirë në lojë numrash dhe manipulim e interpretim të statistikave. E gjithë kjo për të krijuar iluzione mbi gjendjen e vërtetë të ekonomisë në vendin tonë.

Nobelisti Keynes thoshte që ekonomët ja bëjnë vetes më të lehtë se që është, nëse në kohë të stuhishme nuk kanë tjetër çka të na thonë përveç që oqeani do të qetësohet pasi të ketë përfunduar stuhia.
Ministri Bislimi ka shkuar përtej kësaj, duke thënë ballë një stuhie të madhe që oqeani është i qetë.

Në këto kohë jociklike dhe të stuhishme për ekonominë, sytë i drejtohen shtetit dhe pritshmëritë ndaj tij rriten. Në kohë krizash të tilla, kur sistemi neoliberal mbrrinë në kufijtë e tij dhe forcat inherente që neoliberalët pretendojnë se tregu i ka, nuk mjaftojnë për ta shpëtuar atë nga kolapsi, nevoja për kyçjen e shtetit në treg bëhet e madhe. Nevoja që shteti të kalojë nga roli i vëzhguesit tek roli i pjesëmarrësit në këto raste është e pashmangshme.

Por, kyçja e shtetit në treg e pamenduar mirë nuk e zbutë krizën dhe aq më pak e ulë papunësinë.

Kosova vuan nga papunësia aq sa nga punësimet joformale. Punëtorët joformal janë të pambrojtur nga ligji, meqë janë pa kontrata dhe të ekspozuar ndaj konjunkturave të tregut dhe krizave të tij më së shumti.

Ata në statistika figurojnë si të papunë edhe pse punojnë dhe gjenerojnë të ardhura dhe në rast të situatave të tilla siç e kemi tani, ata e humbin vendin e punës dhe të ardhurat, por nuk përmenden në statistika fare.

Është e pritshme në këto raste, kur shteti me pako emergjente ndanë para, që një pjesë e punëtorëve joformal që nuk e humbin vendin e punës kalojnë në formalitet. Është mekanizëm i tregut. Mirëpo ata kanë qenë të punësuar dhe kanë gjeneru të ardhura edhe pa qenë pjesë e ekonomisë formale dhe nuk janë punësime të reja, siç mundohet Ministri Bislimi ti paraqesë.

Këta 9.946 punëtorë që u transferuan nga ekonomia joformale në ekonominë formale janë vetëm maja e “Eisbergut” të ekonomisë joformale. Fati i punëtorëve të tjerë që me punë joformale siguronin të ardhurat për vete dhe familjet e tyre është i panjohur, njejtë si shifra e saktë e tyre meqë ishin joformal. Për këtë vetëm mund të spekulojmë.

Shifrës së panjohur të punëtorëve joformal, që shkaku i kësaj krize kanë mbetë në të vërtetë pa punë, i bashkohen edhe 1.268 punëtorë formal që kanë humbur vendin e punës dhe të ardhurat. Të vetmen që mund ta themi me siguri është që nga këto dy shifra, njëra e njohur dhe tjetra jo, kjo e panjohura tejkalon shumën e shifrës e të transferuarëve nga joformaliteti në formalitet dhe atë të atyre që ishin formal dhe mbetën pa punë.

Ministri Bislimi duke e anashkaluar ekonominë joformale është në gjendje të zbukurojë numra, të përshtatet kuota dhe të manipulojë statistika.

Por këto manipulime nuk e ndryshojnë realitetin. Ekonomia është tërësia e ekonomisë formale dhe asaj joformale dhe ajo vuan sidomos atëherë kur pjesa e saj është joformale dhe kur pikërisht ajo pjesë tretet pak në formalitet e shumë në krizë.

Përveç kësaj që papunësia reale nuk është reduktuar, kriza thellohet edhe më shumë me rënien e përgjithshme të ardhurave që janë gjeneruar në ekonomi. Nëse pakoja emergjente nuk është së paku e barabartë me shumën e të ardhurave që punëtorët i kanë gjeneruar në ekonominë formale dhe joformale, nëse ndihma e shtetit nuk i afrohet pagës së gjeneruar me parë nga puna e secilit punëtor, ekonomia detyrimisht bie. Më pak të ardhura nënkuptojnë më pak konsum dhe këto dy rënie sjellin edhe një sërë efektesh negative pas veti.

Ministri Bislimi me manipulimet e tij i jep kuptim tjetër dorës së fshehtë të Adam Smith.

Për të zbutur rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia, meqë pretendimi për ta shpëtuar është i pamundur, intervenimet shtetërore duhet të rriten dhe jo të mbesin konservatore. Sidomos Kosova është pashkëputshëm e lidhur me ekonominë globale dhe posaçërisht me atë në Evropë, shkaku i remitencave nga Diaspora. Rrjedhimisht stabiliteti i ekonomisë në Kosovë varet edhe nga ai i shteteve nga të cilat vijnë remitencat. Por, edhe ne vetë mund të kontribojmë në stabilitet. Me politika fiskale siç është shpenzimi deficitar i financuar maksimalisht nga taksa progresive, rritja e pagës minimale në secilin sektor dhe angazhimi për reduktimin e ekonomisë joformale për të rritur ekonominë formale, por ky angazhim nuk duhet të jetë në dëm të punëtorëve dhe për këtë ka momente më të mira se sa gjatë krizave pandemike. Kështu duke e mbajtur konsumin në nivel dhe duke i mbrojtë punëtorët me ligj, që të mos jenë të ekspozuar ndaj krizave aq shumë e largimi i tyre nga vendi i punës mos të jetë aq i lehtë.