Grupet paralele serbe që nga orët e mbërmjes së djeshme kanë bllokuar për qarkullim rrugën e tri fshatrave të banuara me shqiptarë në Veri të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” banor i fshatit Cerajë Enver Aliu.
Sipas tij serbët kanë vendosur katër kamionë në afërsi të magjistrales Leposaviq – Mitrovicë.
“Në hyrje të rrugës që lidh fshatrat e banuara me shqiptarë në Veri, Kushtovë, Bistricë dhe Cerajë, është ndalur një kamion për të bllokuar qarkullim me automjete tjera”, ka thënë Aliu ekskluzivishit për Gazeta Blic.
Ai po ashtu ka njoftuar se deri në këto momente situata ka qenë e qetë afër zonës së tyre të banimit.
Ndryshe, tensionimi i situatës në Veri erdhi si rezultat i vendosjes së masës së reciprocitetit nga ana e institucioneve të vendit.
Që nga dje forca të shtuara të vendit kanë zbarkuar në Veri për të ruajtur sigurinë publike.
Ndërkohë edhe KFOR-i është shprehur i gatshëm për të intervenuar, në rast të përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore.
Sot Policia e Kosovës njoftoi se deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve. /Gazeta Blic