Lajme

Bllokada “Presidenciale”!

12/09/2019 12:51
nga:Gazeta Blic

Edhe pse janë bërë më shumë se dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe më shumë se 10 ditë nga certifikimi i rezultateve, dy partitë fituese të zgjedhjeve VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, shkruan Gazeta Blic.

Ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ai i cili pak ditë para certifikimit të rezultateve kishte paralajmëruar arritjen e marrëveshjes me LDK-në menjëherë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatet zgjedhore.

Më saktësisht për sot një javë ishte paralajmëruar nënshkrimi i marrëveshjes, por posti i presidentit ka bërë që dy partitë të “bllokojnë” formimin e institucioneve.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar postin e presidentit për vete, derisa për partinë e tij ka kërkuar edhe postin e kryetarit të Kuvendit dhe 5 ministri, aq sa do t’i ketë edhe Vetëvendosje.

Mirëpo, kjo ofertë ka qenë e papranueshme për partinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Vetëvendosje në kompensim të postit të presidentit ka kërkuar një ministri shtesë, siç e ka kërkuar edhe një ministri shtesë për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Pra, Lëvizja Vetëvendosje pos kryeministrit i ka kërkuar edhe 7 ministri, nëse LDK do të marrë presidentin dhe postin e kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, kjo ofertë nuk është pranuar nga LDK”, kanë thënë burime të Gazeta Blic.

Ndonëse janë bërë një javë nga takimi i dy liderëve, as sot nuk pritet të ketë takim ndërmjet Mustafës e Kurti.

Të paktën tri burime brenda LDK-së në kushte anonimiteti i kanë thënë Gazetës Blic se sot nuk pritet të ketë takim ndërmjet dy liderëve, edhe pse ishte paralajmëruar që posa Kurti të kthehej në Kosovë, do të ndodhë takimi i shumëpritur.

Një zyrtar i LDK-së në kushte anonimiteti ka thënë se pritet që gjatë dy tri ditëve të ardhshme të ndodhë ky takim, pa saktësuar detaje të tjera.

Në anën tjetër, as nga Vetëvendosje nuk kanë informata se kur pritet të takohen liderët e dy partive.

Zyrtarja e lartë e VV-së, Fatmir Mullhaxha – Kollçaku tha për Gazeta Blic se nuk ka asnjë informatë për ndonjë takim ndërmjet liderëve.

“Me të thënë të drejtën, nuk kam asnjë informacion për juve, por së shpejti do ta merrni një, por për momentin nuk kam asnjë informatë”, tha Kollçaku.

“Do të informoheni, për momentin nuk munde me konfimru asgjë, mundeni me bisedu me Zyrën për Informim në Lëvizjen Vetëvendosje sepse për momentin nuk kam asgjë të re”.

“Ne kemi shprehur vullnet të mirë dhe tani do ta shohim”, shton ajo.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Albin Kurti është kthyer nga një vizitë që kishte në Berlin.

LDK nuk lëshon pe, insiston ta marrë presidentin

05/26/2020 12:45

Thaçi nuk i bie pishman, e quan përsëri Kurtin “uzurpator dhe të paligjshëm”!