Lajme

Blic Intervista || Limaj: Demarkacioni përmbyllet në këtë muaj, këto do të jenë prioritetet tjera të qeverisë!

01/01/2018 15:43
nga:Diamant Bajra

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili njëherit është edhe kryetar i Nisma për Kosovën, në një intervistë dhënë portalit “Gazeta Blic” ka pohuar se viti që e lëm pas ka qenë një vit i suksesshëm për të dhe partinë e tij, pasi triumfoi për herë të tretë në betejën gjyqësore, pas asaj në Hagë ku akuzohej për krime lufte, rastin Kleçka që disa herë u kthye në rigjykim si dhe për akuzat që e ngarkonin atë sa ishte ministër i Transportit, për të cilat u shpall i pafajshëm në nëntor.

Ndërkaq pjesëmarrja e NISMA-s në zgjedhje të parakohshme pas mocionit të ngritur ndaj qeverisë “Mustafa” dhe suksesi i treguar në to po ashtu edhe në zgjedhjet lokale që u mbajten në vjeshtë, bëjnë që sipas Limajt, viti i kaluar të ketë qenë mjaft i suksesshëm.

E rezultate përafrësisht të ngjashme, Limaj pret që të ketë edhe në këtë vit, ku prioritet i qeverisë sipas tij do të jenë temat nacionale, Demarkacioni me Malin e Zi, liberalizimi vizave, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një tregu të barabartë.

Gjatë intervistës për “Gazeta Blic” Limaj, u shpreh i bindur se Demarkacioni, çështje e cila e bllokoi për më tepër se dy vite qeverinë e kaluar, do të përmbyllet Brenda këtij muaji, pas procedimit të saj në Kuvend.

Lideri i NISMA-s, po ashtu u deklarua edhe rreth funksionimit të koalicionit qeverisës me PDK-në dhe rreth premtimeve të tij, të cilat i kishte bërë gjatë fushatës elektorale para hyrjes në qeveri.

Ai u deklarua edhe rreth inciativës së fundit për ndalimin e Gjykatës Speciale që u bë në javën e fundit të vitit të kaluar, nga presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, veprim të cilin e konsideroi të vonuar.

Me vjen keq, kthehuni tri vite mbrapa dhe shiheni reagimin tim. Me vjen keq që është dashur kaq kohë që të kuptojnë qëndrimin tim dhe të partisë Nisma. Është për keqardhje që kjo po na ndodh shpesh, pas disa po i kuptojmë gjerat. Qëndrimi ynë ka qenë në parlament, pra publik dhe nuk ka ndryshuar ai qëndrim. Kjo që po ndodh po e tregon edhe paradoksin e vendit tonë dhe njerëzve që po e kuptojnë me vonesë për dëmet që ia kanë sjellur vendit“, tha Limaj.

Më poshtë e gjeni të plotë intervistën me zëvendëskryeministrin Limaj:


Gazeta Blic: Si ka qenë viti 2017 për ju dhe partinë që e drejtoni? A janë përmbushur  synimet tuaja personale por dhe ato politike?

Limaj: Ne vlerësojmë që, nga krejt analiza që e kemi nxjerrur për këtë vit, për Nisma për Kosovën viti 2017 ka qenë vit i suksesshëm. Po e them këtë duke marrë për bazë aksionet dhe veprimet politike të cilat i kemi ndërmarrë, duke filluar nga mocioni i ngritur nga Nisma për Kosovën dhe suksesi në zgjedhjet e përgjithshme e po ashtu edhe suksesi në zgjedhjet lokale, që ka bërë shtrirje në 50 përqind të Komunave të Kosovës, kjo është një përmbyllje e suksesshme për partinë. Përfundimisht Nisma për Kosovën frymon në çdo asamble komunale dhe ne jo rastesisht këtë vit e veçojmë si ndër vitet më të sukseshme për Nisma për Kosovën.

Gazeta Blic: Siç e përmendet, ky vit karakterizohet nga zhvillime të ndryshme si politike ashtu edhe të fushave tjera. Keni fituar dy beteja, një për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa dhe betejën tjetër me drejtësi. Cila nga këto dy beteja kanë qenë më të vështira për ju, si dhe a jeni të gatshëm në këtë kohë të mbështesin inciativa të tilla si ajo e para në të cilën ju keni dalë fitues?

Limaj: Natyrisht më e vështira ka qenë ajo me drejtësi, ku ka qenë një proces i montuar dhe i stërzgjatur gjyqësor.  I terë procesi ka qenë i orkestruar nga individ që po ashtu kanë qenë të ndihmuar nga media të caktuara. Ne jemi të kënaqur që në fund kemi dalur fitues para qytetarëve, atyre që na kanë besuar. Shpresoj që askujt t’i ndodhin gjerat që na kanë ndodhur neve, 8 vite nuk janë pak, por ja ku jemi sot.

Gazeta Blic: Nuk u përgjigjet në pyetjen se a do të kishit mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë?

Limaj: Ne jemi pjesë e qeverisë, jemi pjesë e koalicionit. Ne jemi këtu për të bërë punë dhe ne derisa punojmë, dhe shohim se këto punë janë për të mirë të qytetarëve ne nuk kemi arsye të mirremi me të tilla gjera. Ajo është detyrë e opozitës, ne jemi këtu për të punuar, pozicioni ynë tash është nga marrja e përgjegjësisë, dhe njerëzit tani presin marrjen e vendimeve.

Gazeta Blic: Para se të hyni në qeveri, fjalë është për kohën e fushatës elektorale, vazhdimisht keni premtuar mbështetje në sektorin e bujqësisë, çfarë ndodhi që nuk mbeti nën menaxhimin e partisë suaj Ministria e Bujqësisë nga ku do të mund të përmbushnit një nga premtimet tuaja? Si dhe çfarë do të iu thoni qytetarëve që i premtuat përkrahje?

Limaj: Kur është bërë koalicioni, ju e dini se është bërë me marrëveshje politike dhe ndarja e dikastereve është bërë pastaj me marrëveshje, siç e dini dikasterin e bujqësisë e drejton Lista Serbe, por Nisma për Kosovën ka zëvendësministrin e saj në këtë dikaster, z. Vesel Krasniqin, i cili është një person mjaft profesional i Nismës, dhe ne ju garantojmë që do t’i përmbushim të gjitha premtimet e dhëna gjatë kohës së fushatës elektorale dhe këtë do të shihni gjatë vitit të ardhshëm masat konkrete në sektorin e bujqësisë.

Gazeta Blic: Përveç bujqësisë, përkrahje e lehtësira keni premtuar edhe për familjet me nevojë, për çka keni thënë se rreth 25 mijë familje do të kenë nga një të punësuar. Kur do të ndodhin këto punësime, cila është strategjia?

Limaj: Vetëm se ka filluar dhe në dy-tri ditë do të shihni angazhimin e ministrive përkatëse në këtë drejtim dhe krejt programi është përgatitur që nga fillimi i vitit të ri buxhetor të filloj implementimi i këtij projekti dhe unë besoj që do të arrijmë realizimin e tij. Ministria e Punës, Ministria e Arsimit, Ministria e Tregtisë, të gjitha janë duke marrë masa që të krijojnë vende të reja te punës, të stimulojnë për punësim, dhe njëkohësisht të ndërlidh familjet që nuk e kanë asnjë të punësuar me mundësinë për punësim, po ashtu Ministria e Arsimit t’i bëjë përgatitjet profesonale që njerëzit të jenë më të gatshëm për të marrur përgjegjësi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj

Gazeta Blic: Janë bërë plotë 100 ditë qeverisje në krye me Ramush Haradinajn. Çka u punua dhe çka jo brenda kësaj kohe?

Limaj: Janë marrë qindra vendime, të cilat efektet do t’i kenë në vitin e ardhshëm. Ajo që dua ta theksoi është se nënshkrimi i marrëveshjes për termocentralin është vendimi më i madh që është marrë në këto 100 ditët e para të kësaj qeverie dhe jo vetëm kaq, pasi që është investimi më i madh që është bërë në këto 17 vitet e fundit, ku pritet investim i huaj në vlerë mbi 1 miliard euro. Dy gjera duhet t’i kemi të qarta, objektivat tona janë temat nacionale dhe temat e qeversjes. Ne jemi këtu t’i japim përgjigje temave nacionale, ne jemi këtu t’i japim zgjidhje problemve me të cilat ballafaqohen qytetarët.  Angazhimi im është që sa më shpejt të rikthejmë integritetin e këtij vendi në arenën ndërkombëtare dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Njerëzit do ta ndijnë që shteti i tyre është duke lëvizur dhe është duke u kthyer kah e mbara. Të krijomë siguri juridike por edhe të krijojmë një përspektiv ekonomike për vendin tonë. Drejtuesit e shtetit duhet të jenë nxitës i të gjitha inciativave që vijnë nga qytetarët nga grupe të ndryshme nga sektorë të ndryshëm, ne duam gjithashtu që të bëjmë një rregull dhe disiplinim shtetëror, gjë që do të shihet në vitin e ardhshëm, po ashtu ne duam që t’i kryjmë detyrat dhe obligimeve që i kemi ndaj ndërkombëtarëve. 

Gazeta Blic: Si po funksionon koalicioni me PDK-në, prati kjo në të cilën keni kontribuar deri para disa vitesh? A kanë ndryshuar gjerat në këtë parti që nga koha e largimit të Presidentit Thaçi?

Limaj: Koalicionet e tilla siç e kemi ne, nuk janë të lehta të funksionojnë. Çelsi i suksesit dhe funksionimit të koalicionit varet nga ajo sa kanë vullnet drejtuesit e koalicionit për përmbushjen e objektivave që ia kemi parashtru vetës. Në një republikë parlamentare siç jemi ne, kryeministri luan rol kyç për suksesin apo mos sukesin e qeverisë. Ne këtu nuk jemi bashkë për të bërë debatin e ndryshimit tonë, pasi që dihet se ne jemi parti të ndryshme dhe kemi qasje të ndryshme ndaj shumë temave në këtë vend, por ajo që na ka bërë bashkë neve si koalicion janë disa pika për të cilat jemi pajtuar dhe jemi fokusuar t’i realizojmë. Deri më tani jemi duke funksionuar, shihen edhe angazhimet që i kemi para vetës. Koha do të dëshmoj sa jemi funksional dhe sa do të shtyhet kjo çështje.

Gazeta Blic: Çështja e Demarkacionit e bllokoi për më shumë se dy vite qeverinë Mustafa, në një situatë pak a shumë të ngjashme ndodhet edhe qeveria  aktuale. Cila është zgjidhja, sipas jush?

Limaj: Ajo që mund të ju them është se çështja e Demarkacionit shumë shpejt do të marrë zgjidhje, një zgjidhje që do t’i respektoj marrëdhëniet me Malin e Zi, një zgjidhje që do të përshëndetet dhe duartrokitet nga qytetarët dhe ndërkombëtarët. Një zgjidhje e tillë unë besoj që shumë shpejt do të ndodh.

Gazeta Blic: Cila është kjo zgjidhje? Si do të jetë ajo?

Limaj: Një zgjidhje nga e cila do të dalim me marrëdhënie më të mira me Malin e Zi. Demarkacioni do të shkojë në Parlamentin e Kosovës, parlamenti do t’i jap zgjidhje dhe do të largohet nga rendi i ditës. Jemi duke punuar fort për këtë çështje duke i respektuar interesat e të dy vendeve dhe do të përmbyllim brenda muajve të ardhshëm.

Gazeta Blic: Nëse nuk kalon marrëveshja  e nënshkruar nga Presidenti Thaçi, që në atë kohë ishte ministër i Punëve të Jashtme, a i frikësoheni ftohjeve të marrëdhënieve me PDK-në, parti e cila ju kishte dhënë mbështetje juve si opozitë për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. A besoni se me seknar të njëjtë mund të veprojë edhe në një situatë të tillë?

Limaj: Ne jemi të përgjegjshëm, ne marrim përgjegjësi. Demarkacionin kur ta dërgojmë në Kuvend do ta kemi shumicën sepse marrëveshja do të jetë në përputhje të intersave të të dy shteteve. E thash edhe më herët, jemi duke punuar fort që kjo çështje të përmbyllet dhe do të shihni rezultatin brenda muajit të ardhshëm.

Gazeta Blic: Të kalojmë tek një çështje tjetër, tek ajo për të cilën është duke u kritikuar në vazhdimësi kjo qeveri. Pra fjala është për numrin e zëvendësministrave. Pse kaq shumë zëvendësministra? Sa janë nga radhët e NISMA-s?

Limaj: Është e vërtetë ajo që e thoni ju, është kriju një ves i keq nga qeverisjet e kaluara dhe ky ves i keq na ka përcjellur edhe neve ndoshta për shkak të shumë partnerëve në koalicion, por unë pres qe qeveria të arsyetojë më punë. Unë ju siguroj që deri më sot kjo qeveri është përballur me problemet e qytetarëve dhe shpresoj që ky ritem, kjo dinamikë dhe përgjegjësi të vazhdoj edhe në të ardhmen. Unë jam pro një qeverisje aktive e jo një qeverisje që lavdohet për asgjë që nuk ka bërë, të tilla nuk i duhen Kosovës. Kjo qeveri pres që me ia kthy shpresën vendit. Nisma për Kosovën ka tri ministri dhe 12 zëvendësministra, kështu ka qenë sipas marrëveshjes së koalicionit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj

Gazeta Blic: Si do të veprohet me ushtrinë? Kur do të ketë Kosova ushtrinë e saj, a mund të flasim për kohën?

Limaj: Ne i kemi tri tema, unë dua që në tema nacionale të ndërtojmë konsensus, çështje e ushtrisë, çështja e Demarkacionit që e përmendet më herët dhe çështa e hapur me Serbinë, po ashtu liberalizimi i vizave është çështje nacionale. Qeveria natyrisht që do të veprojë për kryerje të obligimeve të saja, por duhet edhe bashkëpunim i gjerë edhe të faktorëve tjerë në Parlamentin e Kosovës. Ne duam një marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneriteti me opozitën për çështje nacionale. Unë shoh si tri tema për vitin e ardhshëm që do të përmbyllen, jo vetëm ushtria por edhe çështja me Serbinë duhet të përmbyllet. Duhet të përmbyllim këtë që ka qenë deri më tani, maltretim, jo transparencë dhe Kosova ka humbur shumë, nuk ka pasur asnjë rezultat nga jo që ka ndodhur në 5 vitet e fundit.

Gazeta Blic: Po për liberalizimin e vizave? A besoni në afatin e dhënë nga Kryeministri Haradinaj, muajin mars?

Limaj: Ajo që unë e thash deri më tani, detyrat duhet t’i përfundojmë si shtet. Kjo çështje duhet të vendoset në tavolinë, pasi që ne do të jemi të gatshëm që në muajt e ardhshëm t’i përmbushim obligimet tona. Dhe unë besoj që Bashkimi Evropian do ta jep datën në harmoni të angazhimit tonë, ne nuk japim datën por Bashkimi Evropian.

Gazeta Blic: Në kohën kur Gjykata Speciale është kompletuar për të nisur punën e saj, Organizatat e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur një peticion për ndryshimin e ligjit për këtë gjykatë i cili dje u dorëzua në Kuvend. A e shihni si të vonuar këtë inciativë dhe kush mendoni se qëndron prapa saj?

Limaj: Me vjen keq, kthehuni tri vite mbrapa dhe shiheni reagimin tim. Me vjen keq që është dashur kaq kohë që të kuptojnë qëndrimin tim dhe të partisë Nisma. Është për keqardhje që kjo po na ndodh shpesh, pas disa po i kuptojmë gjerat. Qëndrimi ynë ka qenë në parlament, pra publik dhe nuk ka ndryshuar ai qëndrim. Kjo që po ndodh po e tregon edhe paradoksin e vendit tonë dhe njerëzve që po e kuptojnë me vonesë për dëmet që ia kanë sjellur vendit. Nuk kam koment tjetër, se qysh dhe kush, pasi që mua nuk me takon të mirrem me teori të konspiracionit.

 

Gazeta Blic: Ne media është raportuar se nga janari i vitit të ardhshëm pritet që të ngriten edhe aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, kush mendoni se do të jetë në listën e të akuzuarve? A e shihni vetën në këtë listë?

Limaj: A pak po të duket a? Për këtë arsye kemi ardhë këtu ku jemi. Nuk mirrem me çështje individi dhe nuk e komentoj këtë. Kjo e dëmton edhe drejtësinë e Kosovës, pasi që nuk merremi me përmbajtjen por me individ. Kjo gjykatë është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës. Si Çështje që do duhej ngritur, janë se a do t’i zbardhë krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe që janë me qindra të pahetuara. A do të zbardhen masakrat? Gratë e dhunuara a do të marrin drejtësi? Këto janë tema që duhet trajtuar e jo emrat se kush duhet të jetë e kush jo. Kush do që ka bërë krime duhet t’i përgjigjët drejtësië. Kë do që e thërret drejtësia duhet t’i përgjigjet dhe shëmbulli më i mirë se si i përgjigjet drejtësisë jam unë, edhe kur s’ka pasur qëllime të vendoset drejtësia, sepse asnjëherë nuk kemi pasur se çfarë të fshehim nga e kaluara jonë.

Gazeta Blic: Çfarë mund të presin qytetarët nga kjo qeveri për vitin 2018? Cilat tema do të jenë prioritet në vitin e ardhshëm?

Limaj: Temat nacionale, përmbyllja e Demarkacioni përfundimisht, objektivi ynë tek liberalizimi i vizave, futja dhe përfundimi i temave me një dinamikë tjetër, dhe tema me mbi tema është zhvillimi ekonomik. Krjimin e një tregu të barabartë. Ne do të fillojmë përfundimisht që të bëjmë shtet, shtet që respektohen rregullat dhe detyrat e veta dhe që ka vetëm një përgjegjësi, ndaj qytetarëve të vet ky është angazhimi që na pret për vitin e ardhshëm.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj

06/20/2018 12:27

Vjosa Osmani: Hashim Thaçi nuk mund t’i udhëheq bisedimet, në fazën finale me Serbinë