Lajme

Blic Intervista | Hoxhaj: Asociacioni nuk formohet pa e njohur Serbia Kosovën. PDK-ja kundër zgjedhjeve të reja!

04/22/2018 18:25
nga:Diamant Bajra

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj vlerëson se ka qenë e nevojshme platforma për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, në atë mënyrë që ky proces të mos vazhdojë deri në pafundësi. Sipas tij, dokumenti që ka miratuar Qeveria është më shumë një lloj kornize për ta miratuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës.

Hoxhaj, ka thënë se pritjet e institucioneve nga ky format i ri bisedimeve që do të drejtohen nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi, anëtarësimi në OKB dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Serbisë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, gjatë një interviste për “Gazeta Blic” ka bërë të ditur se Asociacioni i Komunave Serbe do të formohet në bazë të kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në Bruksel, duke kundërshtuar paralajmërimet e Listës Serbe se do ta formojnë atë në mënyrë të njëanshme.

Gjatë kësaj interviste Hoxhaj, është deklaruar edhe lidhur me funksionimin e qeverisë pas largimit të Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, gjasat që i ka Kosova për liberalizim të vizave brenda këtij viti dhe për mënyrën e transformimit të FSK-së në FAK.

Po ashtu, Hoxhaj si nënkryetar i PDK-së ka bërë të ditur qëndrimin e partisë së tij karshi paralajmërimit të subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës se do të ngrisin mocion mosbesimi ndaj qeverisë “Haradinaj”, për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare.


  • Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Gazeta Blic: Qeveria e Kosovës miratoi platformën për fazën finale të dialogut me Serbinë, duke i dhënë mandat Presidentit Thaçi për t’i udhëhequr këto negociata. Ndërkohë partitë opozitare kanë shprehur kundërshtimet e tyre lidhur me këtë vendim. Cili është komenti juaj z. Hoxhaj, çfarë po synohet përmes kësaj platforme?

Hoxhaj: Kosovës i duhej një platformë për fazën përmbyllëse për dialogun, në mënyrë që t’i vihej një kornizë kohore dhe që ky process të mos vazhdojë në pafundësi jo vetëm në planin kohor por edhe të mos vazhdonte pa qëllim përfundimtar në planin përmbajtjesor. Dokumenti që e kemi miratuar në qeveri është më shumë një lloj kornizë për ta miratuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, sesa që është një platformë e plotë, apo më mirë thënë dokument strategjik, me analiza më të gjëra. Por meqë ne mendojmë se njohja e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe anëtarësimi ynë në OKB, janë pritjet kryesore tonat në përfundim të dialogut, të njëjtat janë edhe të adresuara në dokumentin e Qeverisë për dialogun.

Për sa i takon asaj se kush duhet ta udhëheqë procesin, ne mendojmë se këtë duhet ta bëjë presidenti i Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e të gjitha partive politike, përfshirë pozitën dhe opozitën. Kjo duke pasur parasysh se presidenti udhëheq politikën e jashtmë të vendit, gjë që është edhe e paracaktuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gazeta Blic: Lista Serbe pati paralajmëruar se nëse nuk do të formohet Asociacioni deri më 20 Prill, ata do ta formojnë atë në mënyrë të njëanshme. Si do të veprohet me këtë çështje, a do të pranohen kompromise meqenë se për të do të negociohet në Bruksel?

Hoxhaj: Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë asnjë veprim të njëanshëm në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ky asociacion do të formohet në bazë të kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në Bruksel. Nëse flasim për atë se kur do të ndodhë kjo, si hap juridik, mund t’ju them se asociacioni do të jetë funksional vetëm atëherë kur Kosova ta ketë marrë ulësen e saj si anëtare me ta drejta të plota e OKB-së. Para kësaj kohe, nuk shoh as rëndësi ,as nguti, që kjo të ndodhë, meqë komuniteti serb në Kosovë tashmë i gëzon të gjitha të drejtat në Kosovë. Ajo cka mund të them është se draftimi i statutit ka filluar dhe se ne do ta përfundojmë këtë proces.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj

Gazeta Blic: A prisni që Kosova të sigurojë ulsën në OKB?

Hoxhaj: Natyrisht, ne presim që përmes dialogut të anëtarësohemi në OKB dhe të ndodhë njohja e ndërsjellët. Pa u arritur këto dy qëllime, unë nuk shoh asnjë kuptim për vazhdim të dialogut.

Gazeta Blic: Në fillim të muajit maj pritet që të vizitojë Kosovën një delegacion i Bashkimit Evropian për të vlerësuar punën që është bërë në luftën kundër korrupsionit. Çfarë prisni nga kjo vizitë?

Hoxhaj: Raporti për Kosovën nga Komisioni Evropian tregoi se Kosova vërtetë ka përmbushur kriteret për lëvizje të lirë – pa viza, drejtë zonës Shengen. Ekipi verifikues që do të vijë në Kosovë nga po i njëjti Komision në fillim të muajit maj, do ta hartojë një raport në lidhje me gjendjen faktike në terren, dhe besoj që do të jetë një raport pozitiv. Prapë se prapë, mëndoj që është më mirë ta presim vlerësimin dhe pastaj të diskutojmë në lidhje me të.

Gazeta Blic: A do të hiqen vizat këtë vit?

Hoxhaj: Kam besim që qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza deri në fund të këtij viti. Mirëpo, duhet pranuar se na mbetet punë për të bërë, duke filluar nga lobimi tek institucionet e BE-së, e deri tek shtetet anëtare. Nga përvoja, mund të them se nuk mund të arrihet asgjë në tema të politikës së jashtme pa lobuar intensivisht, dhe liberalizimi i vizave është sa temë e brendshme aq edhe e jashtme.

Gazeta Blic: Si po funksionon koalicioni qeverisës pas largimit të Listës Serbe?

Hoxhaj: Qeveria e Kosovës është në përmbushje e sipër të qëllimeve të saj në bazë të planit të punës të hartuar në fillim të vitit. Ajo cka dua të them në lidhje me kolegët serbë të cilët deklarativisht janë larguar nga Qeveria, e që e kam thënë edhe më herët, është se nuk duam t’i shohim si instrumente të Beogradit në Kosovë. Kosova nuk pranon që të shantazhohet nga askush. Dua që poashtu të them se e vlerësojmë qëndrimin e opozitës në lidhje me këtë temë.

Gazeta Blic: Partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, madje për të arritur këtë qëllim, LDK ka parlajmëruar edhe mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale. A i frikësoheni rrëzimit të qeverisë nga opozita, apo do ta mbështetni atë ashtu siç keni vepruar edhe në vitin e kaluar me qeverinë “Mustafa”?

Hoxhaj: Viti 2017 ka qenë vit zgjedhor. Kemi mbajtur dy palë zgjedhje, ato qendrore dhe lokale, si dhe kemi pasur vonesa në formimin e institucioneve, gjë që ka shkaktuar ngadalësimin e shumë proceseve të rëndësishme. Prandaj, është absurde që të propozohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, kur s’ka asnjë vit që kemi përmbyllur dy procese zgjedhore. PDK-ja është e vendosur që ta kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve të hershme parlamentare. Para cfarëdo procesi të ardhshëm zgjedhor duhet të realizohet reforma zgjedhore dhe qeveria e tanishme duhet t’i bëjë punët e saj dhe t’i përmbushë qëllimet strategjike shtetërore sikurse janë formimi i ushtrisë, dialogu, OKB-ja dhe marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gazeta Blic: Çka do të ndodh me ministrat që janë të ngarkuar me aktakuza për korrupsion?

Hoxhaj: Kjo temë i takon kryeministrit dhe partnerëve të koalicionit.

Gazeta Blic: Kur do të ndodh transformimi i FKS-së në FAK dhe cila rrugë do të ndiqet?

Hoxhaj: Qeveria e Kosovës është e vendosur që t’i ndjekë të gjitha rrugët për ta arritur një konsensus me përfaqësuesit e minoritetit serb në Kosovë, në lidhje me këtë temë. Ky komunitet duhet ta kuptojë se është edhe në interesin e tyre që transformimi i FSK-së, në FAK, të përmbyllet. Nëse mungesën e votës së tyre, mendojnë ta shndërrojnë në veto të jashtme për t’i bllokuar ndryshimet kushtetuese që cojnë në transformimin e FSK-së në FAK, atëherë do të na duhet të vazhdojmë me alternativa të tjera.

Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj

Gazeta Blic: PDK këtë vit do të ketë zgjedhje të brendshme e po ashtu është paralajmëruar edhe për reforma brenda partisë. Çka nënkupton kjo në terësi?

Hoxhaj: PDK-ja ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme duke hapur vetveten ndaj njerëzve dhe ideve të reja. Këto ditë, së bashku me kryetarin Veseli kemi vizituar disa nga degët si Dragashi, Gjakova, Prizreni, Podujeva dhe kemi vërejtur entuziazëm të theksuar dhe besim brenda PDK-së. Partia Demokratike është e vendosur që të reformohet përbrenda dhe t’i hapë dyert për njerëz të rinj dhe ide të reja. Kemi miratuar edhe disa dokumente strategjike që do ta mundësojnë ruajtjen e filozofisë së PDK-së, dhe njëkohësisht një vision të ri në përputhje me rrethanat e reja.

Gazeta Blic: A ka qenë zëvendësues i mirë z. Veseli i z. Thaçit si kryetar i PDK-së, marrë për bazë edhe rezultatin në zgjedhje parlamentare dhe në ato lokale?

Hoxhaj: Rezultati zgjedhor i vitit të kaluar e ka lënduar Partinë Demokratike dhe ne e kemi marrë seriozisht këtë mesazh. Ajo cka mund t’ju them tash është se kurdo që të kemi zgjedhje të reja parlamentare, Partia Demokratike do të dalë e para dhe këtu nuk e kam asnjë dyshim.

05/27/2018 16:29

Mjekët e rinj po ikin nga Kosova