Lajme

Blic Intervista || Dhurata Hoxha: Në dhjetor kosovarët lëvizin pa viza!

06/26/2018 13:11
nga:A. R.

Mos liberalizimi i vizave, nuk është opsion. Kosova i ka  përmbushur të gjitha kushtet andaj nuk duhet të ketë dyshime në rekomandim pozitiv për liberalizim.

Kështu ka deklaruar ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha.

Në një intervistë për Gazetën Blic, ajo ka thënë se Kosova ka përmbushur 95 kushtet për liberalizim të vizave,  përfshirë edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, andaj sipas saj qershori do jetë muaji i lajmit të madh për Kosovën.

Hoxha është shprehur e bindur se dhjetori i këtij viti do të jetë momenti kur kosovarët do të mund të lëvizin pa viza.

Për ministren Hoxha, deklarimet e disa anëtarëve të shoqërisë civile se liberalizimi i vizave është çështje elektorale, janë të pabaza.

Ajo ka thënë se lëvizja e lirë e kosovarëve duhet të jetë angazhim i secilit person dhe mekanizëm, e jo vetëm i politikanëve.

Më poshtë e gjeni të plotë intervistën e Hoxhës dhënë Gazetës Blic.

Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Evropiane, qershor, 2018


Gazeta Blic: Zonja Hoxha jemi në muajt vendimtar për të finalizimin e liberalizimit të vizave. Në fund të muajit qershor pritet vendimi për liberalizimin e vizave, a i ka kryer Kosova të gjitha kushtet, çka presim në fund të qershorit ?

Dhurata Hoxha: Po, Kosova i ka kryer të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, nga 95 kushtet, të gjitha janë të realizuara. Në fund të qershorit, presim publikim e raportit pozitiv për të vazhduar procedurat për liberalizim që sipas aplikimeve të deritashme të vendeve që kanë përmbyllur liberalizimin, do të duhej të zgjas 3 deri në 6 muaj, pra, kufiri fundor është dhjetori i këtij viti.

Gazeta Blic: Po thuani që Kosova ka kryer të gjitha kërkesat e BE-së, karshi liberalizimit, a është luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, ngase dimë se këto dy kërkesa janë thënë më shumë se një herë publikisht nga zyrtarët e BE-së, si kushte të domosdoshme për liberalizim. Ne kemi parë disa aktakuza të profilit të lartë, por a është bërë aq sa të kalohet si kusht ?

Dhurata Hoxha: Po, krimi i organizuar dhe korrupsioni është luftuar, dhe kemi rezultate pozitive, edhe kur e kemi parasysh 42 rastet e shënjestruara.
Konsideroj se rezultatet janë të prekshme dhe të konfirmuara, edhe nga institucionet e BE-së, edhe nga personalitetet e larta të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Luftimi i korrupsionit nuk ka afat apo numra të limituar, është dukuri që institucionet tona do ta zhvillojnë me vendosmëri edhe pas liberalizimit të vizave.
Jam e sigurt se kemi arritur të plotësojmë të gjitha kushtet për liberalizim dhe qytetarët tanë do të lëvizin pa viza deri nga fundi i vitit.

GazetaBlic: Publicisti Veton Surroi ashtu si edhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile, po pohojnë se liberalizimi për këtë vit është vetëm premtim ‘elektoral’ dhe se verdikti final që do jepet në fund të këtij muaji për liberalizim është negativ. A kanë të drejtë, a mund të kemi vlerësim negativ ?

Dhurata Hoxha: Liberalizimi nuk është çështje elektorale, as nuk jemi në fushatë, është detyrë parësore e angazhimit tonë dhe Qeverisë për liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave është interes nacional dhe kemi konsensus të plotë për arritjen e këtij procesi madhor, sikundër mbetet prioritet madhor procesi integrues euro-atlantik.
Nuk pres të jetë vlerësim negativ për kushtet e përmbushjes së liberalizimit të vizave, nga 95 kushtet, të gjitha i kemi realizuar.
Gjithsesi pres të jetë pozitiv dhe vlerësim për angazhimin e vazhdueshëm të të gjitha institucioneve për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Gazeta Blic: Një grup i shoqërisë civile i kanë shkruar tashmë një letër të hapur Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, përmes së cilës kanë kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. A është i nevojshëm një presion qytetarë dhe politik për ta liruar Kosovën nga regjimi ?

Dhurata Hoxha: Të gjitha institucionet kanë përgjegjësi për realizimin e liberalizimit të vizave, ne si ministri, kemi përgjegjësinë më të madhe duke operacionalizuar prioritetet, afat dhe zbatimin e rekomandimeve.

Këtu, edhe pushteti lokal, edhe qendror, edhe pushteti ligjvënës edhe gjyqësor, të gjithë kanë obligimin e vet, po ashtu, mediet dhe shoqëria civile.

Nuk do ta quaja presion por konsensus nacional gjithëpërfshirës për liberalizimin e vizave.

Gjë e mirë që do të duhej të ndodhte shumë më herët.

Gazeta Blic: Çka nëse as këtë vit nuk lëvizim lirshëm, çka do u thuani qytetarëve të Kosovës?

Dhurata Hoxha: Mos liberalizimi i vizave, nuk është opsion. I kemi përmbushur të gjitha kushtet andaj pse do të duhej të dyshonim në këtë. Presim që Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian, të kenë kutin e njëjtë gjatë vlerësimit të përmbushjes së kushteve për liberalizim.
Qytetarëve të Kosovës u them, besoni në vlerat evropiane, punoni për këto vlera, secili sipas përgjegjësisë dhe mundësisë./GazetaBlic/

07/20/2020 16:29

SHBA presion Bashkimit Evropian: Mbani premtimin – liberalizoni vizat për kosovarët