Profesori universitar Blerim Latifi ka theksuar se krizat e sotme në Kosovë burojnë nga dobësimi i konsensusit të brendshëm politik dhe i unitetit perëndimor që mbështeti pavarësinë, raporton GazetaBlic,
Ai paralajmëron pasojat dramatike të përçarjes së Perëndimit dhe të fokusit të brendshëm vetëm tek lufta për pushtet, duke vënë në dukje mungesën e vizionit strategjik për të ardhmen e shtetit.
Postimi i plotë:
Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës kanë qenë produkt i dy konsensuseve vendimtare: konsensusit brenda Perëndimit dhe konsensusit tonë të brendshëm politik. Krizat e sotme të thella burojnë pikërisht nga fakti se të dyja këto baza nuk funksionojnë më.
Perëndimi ka hyrë në një fazë përçarjeje të thellē strukturore, ndërsa ne jemi zhytur në një cikël të pafund të luftës për pushtet, pa u shqetësuar seriozisht për grryerjen e përditshme të shtetit që kjo luftë prodhon. Institucionet janë dobësuar, por energjia jone politike vazhdon të shpenzohet pothuajse ekskluzivisht për sigurimin e disa posteve të mjera brenda një strukture shtetërore që mezi mbahet në këmbë.
Dje, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi hapur se epoka e Pax Americana në Evropë ka marrë fund dhe se Amerika po tërhiqet nga kontinenti. Ky zhvillim e cenon drejtpërdrejt funksionalitetin dhe efektivitetin e NATO-s. Pasojat për ne janë të qarta dhe potencialisht dramatike.
Por a po mendojmë seriozisht për stuhinë historike që po afrohet? Fatkeqësisht, jo. Krejt vëmendja jonë mbetet e përqendruar në përplasjet partiake, në betejat e vogla për dominim afatshkurtër, ndërsa horizonti strategjik mungon pothuajse krejtësisht.
Në këtë kuptim, ne vazhdojmë të jemi pasardhës besnikë të atyre shqiptarëve që, në kohën kur shtetet ballkanike po e copëtonin Perandorinë Osmane në territoret shqiptare, ende besonin te “topi i madh magjik i babës mbret” , i cili me një të shtënë të vetme do t’i zhdukte ushtritë armike.
Historia, si atëherë ashtu edhe sot, nuk i fal ata që ngatërrojnë dëshirat me realitetin.


