Sporti

BleARTA e Kosovës, drejtoreshë në Adriatic Tennis Park në Shkodër: Viti 2023 ishte i veçantë për mua

01/02/2024 14:31
nga:Mergim Rreci

‘Punë, angazhim dhe rezultate’ – Ky është përkufizimi më i mirë që mund ta përshkruajë një vajzë shumë të suksesshme siç është Blearta Ukehaxhaj.

E rritur nën frymën e sportit, me dëshirën dhe vullnetin e jashtëzakonshëm për të bërë gjëra të mëdha, Blearta është shembulli më i mirë se si mund të arrihet suksesi, madje edhe në sporte jo shumë të popullarizuara në vendin tonë, siç është tenisi.

E ‘artë’ nga mendja, e dalluar nga produktiviteti dhe puna, e veçantë nga rezultatet e arritura që nga fëmijëria, ajo është vërtetë një model që duhet ndjekur dhe një figurë që duhet të krijohet në skicën e planeve tek çdo i ri që kërkon rrugën e suksesit.

Blearta, vitin 2023 e kishte të veçantë, vit ky kur bëri edhe hapin e madh në karrierën e saj, jo pse hapat e tjerë ishin të vegjël, por ky i fundit ishte i një niveli tjetër.

Nga përfaqësimi i Kosovës në Festivalin Olimpik për të Rinjë në “Maribor 2023”, pastaj përzgjedhja në mesin e 12 gjyqtarëve nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit për të referuar në Kampionatin e Juniorëve, deri tek më e rëndësishmja, pranimi i pozitës së drejtoreshës së Adriatic Tennis Park në Shkodër, sukses ky i jashtëzakonshëm për një vajzë të re nga Kosova.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, ajo është prononcuar për sukseset e këtij viti, duke e vlerësuar atë si një periudhë të veçantë 12 muajshe.

“Viti 2023 ka qenë një vit shumë i veçantë me shumë ngjarje, duke filluar me përfaqësimin e Kosovës në Festivalin Olimpik për të Rinj “Maribor 2023” në Slloveni si ambasadore e re olimpike e Komitetit Olimpik të Evropës gjatë datave 23-29 korrik. Më pas jam përzgjedhur si një nga 12 gjyqtarët e Evropës nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit për të referuar si gjyqtare e karriges në finalen e Kampionatit Botëror për Junior “Prostejov 2023″ në Republikën Çeke, 7-12 gusht, pra një mbyllje e bukur e pjesës së parë të vitit”, tha fillimisht ajo.

Tutje, ajo u deklarua për vendimin e madh për të pranuar ofertën nga Shkodra dhe emërimin si drejtoreshë në Adriatic Tennis Park, gjithashtu edhe angazhimin si trajnere tek Shkodra Tennis Club.

“Pas suksesit në pjesën e parë të vitit, me erdhi një ftesë nga Shkodra për të drejtuar organizimin e turneut të parë botëror të zhvilluar në Shkodër për juniorë, të cilën e pranova me shumë kënaqësi, duke qenë se Shkodra ka qenë gjithmonë shumë mikpritëse dhe dashamirëse e sportit, në veçanti me tenisin, dhe me të gjithë neve që kemi ardhur nga jashtë. Me këtë rast mora edhe ofertën për të drejtuar kompleksin Adriatic Tennis Park në Shkodër, i cili ka 6 fusha tenisi të hapura dhe 2 të mbyllura, si dhe 1 fushë padel dhe 1 fushë beach volley. Një ofertë që më duhej pak kohë për ta menduar dhe për të marrë një vendim për ta pranuar, pasi më duhej të sakrifikoja shumë gjëra”, vazhdoi tutje Ukehaxhaj.

Ajo tregoi më pas për punën e madhe organizative të Adriatic Tennis Park nën drejtimin e saj, duke organizuar shumë turne kombëtarë e ndërkombëtarë.

Ukehaxhaj tha poashtu se pritja e madhe që i’u bë nga shkodranët ia lehtësoi rrugën drejt suksesit, duke veçuar se është e lumtur që kalon kohë me njerëz të dashur e profesionistë.

Kam 3 muaj që drejtoj kompleksin Adriatic Tennis Park dhe jam e angazhuar edhe si trajnere tenisi në Shkodra Tennis Club . Gjatë kësaj kohe kemi organizuar turne tenisi kombëtarë dhe ndërkombëtarë në nivel europian dhe botëror, duke mos lënë anash edhe turnetë e padelit. Si pjesë e klubit të tenisit kemi tenistë mjaft të suksesshëm jo vetëm në turne kombëtarë por edhe ndërkombëtarë. Mbi të gjitha kaloj kohë shumë të çmuar me njerëz të dashur që më kanë pritur shumë mirë dhe krahëhapur, ashtu siç dinë vetëm shkodranët“, përfundoi Ukehaxhaj.

/GazetaBlic Sport/