Sporti

Blatter e Platini shpallen të pafajshëm nga akuzat për korrupsion

3 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, dhe legjenda franceze e futbollit, Michel Platini, janë shpallur të pafajshëm nga një gjykatë zvicerane të martën për akuzat e korrupsionit që rëndonin mbi ta.

Dy figurat dikur më të fuqishme të futbollit botëror janë shpallur të pafajshëm për mashtrim nga Dhoma e Jashtëzakonshme e Apelit në Gjykatën Penale Zvicerane, e cila është mbledhur në qytetin Muttenz, pranë Bazelit.

Seanca gjyqësore është mbajtur pas apelimit të vendimit të vitit 2022 nga prokurorët federalë zviceranë.

Të dy kishin mohuar akuzat, të cilat lidhen me një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane, të autorizuar në vitin 2011 nga Blatter për Platinin. Aktakuza e vitit 2022 pretendonte se Blatter dhe Platini kishin mashtruar stafin e FIFA-s në 2010 dhe 2011, duke paraqitur pagesën si një detyrim i organizatës ndaj francezit. Skandali kishte dalë në dritë në vitin 2015, kur Platini ishte president i UEFA-s, duke i shkatërruar ambiciet për ta pasuar Blatterin në krye të FIFA-s. Të dy ishin pezulluar nga FIFA për shkelje etike, fillimisht për tetë vjet, por dënimi ishte ulur më vonë.

Platini, i lehtësuar nga vendimi, ka thënë se ka marrë mbi 10 mijë mesazhe mbështetjeje.

“Përndjekja nga FIFA dhe disa prokurorë zviceranë për dhjetë vite më në fund mori fund. Nderi im u rikthye dhe jam shumë i lumtur”, është shprehur ai.

Platini ka deklaruar se e gjithë çështja ishte një përpjekje për ta ndaluar atë të bëhej president i FIFA-s.

Edhe Blatter ka thënë se ndihet më lehtë.

“Ishte një barrë e rëndë për mua për dhjetë vjet, si shpata e Damokleut mbi kokën time. Tani ka marrë fund dhe mund të marr frymë lirshëm”, është shprehur ai.