Lajme

Blaka i AAK-së kritikon mediat dhe analistët: Haradinaj po injorohet në debatet për zgjedhjet

11/16/2024 14:11
nga:Sh R

Zyrtari i AAK-së, Lulëzim Blaka, ka kritikuar disa media dhe analistë që në këtë periudhë po e injorojnë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe liderin e saj Ramush Haradinaj.

Ai ka vlerësuar se të njëjtit po merren vetëm me dy kandidatë tjerë të opozitës për kryeministër.

Në profilin e tij në “Facebook”, Blakaj ka shkruar se dy kandidatët tjerë të opozitës nuk kanë asnjë kontribut vullnetar për Kosovën.

“Në peizazhin mediatik të Kosovës po shfaqet një anomali e çuditshme: ka të paktën një studio televizive ku debatet për zgjedhjet zhvillohen sikur Ramush Haradinaj dhe Aleanca të mos ekzistonin fare. Përkundrazi, këta “analistë” përqendrohen ekskluzivisht në dy kandidatë të tjerë për kryeministër – figura që, ironikisht, nuk kanë asnjë kontribut vullnetar për Kosovën. Për çdo minutë të angazhimit të tyre “për vendin”, këta “profesionistë” janë kompensuar, madje mjaft mirë.

Ai ka përmendur kontributin e madh të Haradinajt në luftë dhe pas luftës në procesin e shtetndertimit.

“Përpjekja për të fshirë nga memoria kolektive një burrë shteti që ka shërbyer dy herë si kryeministër, me arritje të prekshme si themelimi i Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, zbulon të vërtetën e hidhur: Këta komentues vetë janë produkt i një mentaliteti mercenar – kurrë nuk kanë dhënë asgjë pa pritur shpërblim. Përderisa Haradinaj ka gdhendur tashmë vendin e tij në historinë e shqiptarëve, këta “profesionistë” ambiciozë për karrigen e kryeministrit, bashkë me mercenarët e studiove televizive, do të zhyten në harresë – aq thellë sa as pasardhësit e tyre nuk do të gjejnë arsye për t’i kujtuar”, ka shkruar Haradinaj.