Kryeministri i Shqipërisë është kritik ndaj strategjisë së zgjerimit të BE, ndërkohë që thekson “premtimet e shkelura” dhe “cinizmin” e unionit për arsye populliste, shkruan sot gazeta më e madhe gjermane ”Bild”, që boton një intervistë ekskluzive me kryeministrin Edi Rama.
“Është një ambicie e dashur prej shumë kohësh nga vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për t’u bashkuar me Bashkimin Europian që t’u mundësojnë qytetarëve tanë të përfitojnë nga një treg i lirë dhe të marrin pjesë në këtë demokraci të madhe.
Më lejoni të qartësoj diçka: si kryeministër i Shqipërisë, unë e di që ne nuk jemi plotësisht gati të anëtarësohemi sot në Bashkimin Europian, as Maqedonia e Veriut ose pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor.
Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtarë. Por dy vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha, më tepër madje, kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin.
Një fillim i tillë i negociatave u vendos gjithashtu nga vetë Këshilli i BE në 2018, raporton ATSh.
Por, përpjekjet e popujve tanë nuk janë shpërblyer. Më e pakta që meritojmë tani është përgjigjja për pyetjen tonë “Pse?”
Kur Komisioni Europian kërkoi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të zbatonin disa reforma para se të fillonin negociatat, ne e bëmë këtë. Disa prej tyre, të tilla si reforma në drejtësi në Shqipëri, janë të pashembullta për një vend tjetër që nuk ka hyrë ende në procesin e negociatave. Ne bëmë përparime dhe Komisioni Europian njohu angazhimin tonë të plotë dhe arritjet tona të jashtëzakonshme në disa raste.
Sidoqoftë: Përpara se negociatat të fillonin zyrtarisht, disa vende anëtare të BE vendosën që negociatat me Shqipërinë nuk do të mbështeteshin nga pjesë të elektoratit të tyre.
Kështu që ata e shtynë këtë fillim zyrtar për negociatat. Kur erdhi koha për të justifikuar këtë vendim, ata nuk thanë që ju KENI një problem. Në vend të kësaj u tha se NE kishim disa probleme.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë më shumë se disa probleme. Është pikërisht kjo arsyeja që ne duam të përshpejtojmë procesin e integrimit në Bashkimin Europian në mënyrë që të marrim mjete në dorë për të zgjidhur pikërisht këto probleme.
Të jemi të qartë: ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian nesër ose pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE në mënyrë që të rritemi në rolin e një anëtari të ardhshëm në procesin e negociatave të pranimit.
Kur krerët e shteteve dhe qeverive europiane morën përsipër të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ata morën përsipër rrugën e “detyrimit”.
LEXO EDHE:
Qeveria premton platformë për dialogun, opozita ia kërkon para takimit në Bruksel