Presidenti i SHBA-së Joe Biden mori sot dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19
Biden e bëri këtë disa ditë pasi rregullatorët federal rekomanduan dhënien e një doze të tretë të vaksinës Pfizer për amerikanët mbi moshën 65-vjeç dhe ata me sëmundje shtesë.
“Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë është të vaksinojmë më shumë njerëz,” tha Biden para se të merrte dozën e tretë të vaksinës, duke shtuar se ai nuk kishte efekte anësore pas vaksinimit të parë dhe të dytë, raporton AP.
Biden, 78-vjeç, mori dozën e parë të vaksinës më 21 dhjetor, dhe dozën e dytë tri javë më vonë më 11 janar, së bashku me gruan e tij Jill Biden.
Ai tha se gruaja e tij së shpejti do të merrte dozën e tretë. Gati 2.66 milionë amerikanë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës Pfizer që nga mesi i gushtit, raportuan Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Rreth 100 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.
Rregullatorët amerikanë kanë rekomanduar një dozë të tretë gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.