Lajme

Biden: Izraeli duhet të kërkojë alternativa të tjera në vend që të godasë objektet e naftës në Iran

10/04/2024 22:30
nga:Y I

Izraeli duhet të kërkojë alternativa të tjera në vend që të godasë objektet e naftës në Iran, tha sot presidenti amerikan Joe Biden, sipas “The Guardian”.

Duke folur para gazetarëve në Uashington, Biden i kërkoi Izraelit të mos sulmojë objektet e naftës të Iranit.

“Nëse do të isha në vendin e tyre, do të merrja në konsideratë alternativa të tjera përveç goditjes së vendburimeve të naftës.

I pyetur nëse mendonte se duke mos u angazhuar në diplomaci, kryeministri i Izraelit Benjamin Nentanyahu po përpiqej të ndikonte në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në SHBA, Biden u përgjigj: “Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, duhet ta mbajë mend këtë”.

Biden tha se Izraeli nuk do të marrë një vendim të menjëhershëm se si të hakmerret kundër sulmeve raketore të Iranit, në fillim të kësaj jave.

“Izraeli ka çdo të drejtë t’i përgjigjet sulmeve te Iranit dhe të të tjerëve si Hezbollahu”, tha ai.

“Por, fakti është se izraelitët duhet të jenë shumë më të kujdesshëm në trajtimin e viktimave civile”, theksoi Biden.

Presidenti amerikan tha dje se SHBA-ja po “diskutonte” me Izraelin mundësinë e sulmeve izraelite në infrastrukturën e naftës të Iranit.

Deklarata e tij e hapur, e cila menjëherë ngriti çmimet e naftës, nuk e bëri të qartë nëse administrata e tij po zhvillonte diskutime të brendshme apo po fliste drejtpërdrejt me Izraelin, dhe as nuk sqaroi se cili ishte qëndrimi i tij ndaj një sulmi të tillë.

/Ora News/