Opinion

A besojnë kosovarët në Zot?

02/03/2018 19:15
nga:Ilir Muharremi

Nga Ilir Muharremi

Të gjithë njerëzit jemi të njëllojtë, nuk ekzistojnë mbinjerëzit, njeriu është vetëm njeri, është i barabartë si para të ftohtit ashtu edhe para zjarrit, të gjithë digjemi njëjtë, edhe para Zotit jemi të barabartë. Pse njeriu duhet të besoj në Zot? Zoti ndërroj jetë në gjermani me Nietzschen, pastaj erdhi pasditja më e madhe për njeriun sepse për herë të parë u zëvendësua me Zotin dhe u bë Zot vet ai. Disa u trembën, disave ju dridhen këmbët, pastaj filluan t’ju merren mëndët, kurse në letërsi u hapen gremina të shumta. Por, njeriu ulëriti kundër ferrit.

Para Zotit qenë mitet, edhe këto mite i kishin ditët e numëruara, u përjetësuan vetëm në letërsi, ende edhe sot ruajnë pavdekshmërinë dhe njeriu nuk duhet t’i mohoj zotat, por t’i largoj në formë shumë kalamendëse sa që shpirti krijon murosje të fortë. T’i harrojmë Zotat, më së miri na bie të mos mendojmë shumë për ta.

Sa mendojnë njerëzit në botë për Zota? Një studim i kryer nga Win Gallup International, i shoqëruar nga Instituti për Hulumtime Mediale ‘Mediana”, kishte vënë në qendër besimin në Zot të njerëzve duke intervistuar 66 mijë njerëz në 68 vende të botës. 62 përqind e njerëzve besojnë në Zot, kurse 45 përqind e mohojnë ekzistencën e Zotit. Si tek të parët ashtu edhe tek të dytët Zoti nuk shpërblen e as nuk ndëshkon, ai është i shurdhër. 62 përqind kërkojnë zërin e tij, kurse 45 përqind mallkojnë heshtjen e hyjnisë, mirëpo po harrojmë se duhet vdekur, dhe njeriu më mirë të përgatitet për këtë fat sesa për fjalët e kota hyjnore.

Kosova është në vendet me përqindje më të madhe të njerëzve besimtarë në Zot. Kurse vendet tjera me përqindje të naltë të besimit në Zot janë Tailanda me 98 përqind dhe Nigeria 97 përqind. Kosova renditet menjëherë pas tyre, pastaj India dhe Bregu i Fildisht me 94 përqind besimtarë. Në Kosovë janë vetëm 6 përqind ateistë. Kina është vendi me më së paku besimtarë, pasuese është Suedia, Republika Çeke dhe Britani e Madhe.

Pse në Kosovë ka kaq shumë besimtarë në Zot? Arsyeja e analfabetizmit të më hershëm, varfërisë, ishin të verbër, ende edhe sot ruajnë këtë verbëri. Absurdi më i madh i besimit në një Zot të padukshëm. Çfarë ndodh me trurin në këtë moment? Ana kritike dhe analitike lihet anash dhe të menduarit e thellë, pastaj i nënshtrohemi pjesës sociale dhe emocionale brenda vetes. Fëmijët asnjëherë nuk e mendojnë Zotin, lindin pa Zot, nga imponimi familjar përcaktojnë religjionin. Kjo është vërtetë e dhimbshme.

Zoti për fëmijët është i panjohur, i njohur bëhet nga të rriturit, pastaj shkenca e shpallë dashakeqës, sepse mundon dhe vetëm mundon kot njeriun, sikurse një pritje monotone e Becketit. Për fëmijët Zoti është i paemër, shumë i fshehur, as gjahtar e as gjykatës, dhe nuk e dijë përse prindërit tek të vegjlit tentojnë t’i fusin shkallët brenda në zemër dhe të ngjiten drejt besimit ndaj tij. Është paturpësi të besosh në një panjohuri, përse i gjithë ky mundim shekullor, veçanërisht te Kosovarët. Njeriu në këtë rast bëhet si qen dhe i vije vërdallë, të falet si një i përhumbur, i dehur nga gënjeshtra shekullore e librave “të shenjtë”, të cilët u shkruan mbas qejfeve të pedofilëve dhe abuzuesve seksual, e këta shpërndajnë moral. Vetë janë të pamoralshëm, demonë, shpirtkatran që shfaqen si gjahtar prapa reve dhe kërkojnë njeriu të jetë i burgosuri i përjetshëm. Jo ore, andaj ekzistojnë ateistët. Eliminuesit e së keqes dhe ndalimit të infektimeve të fëmijëve.

Disa Kosovarë u bënë ekstremistë fetarë për shkak kushteve ekonomike, disa të tjerë vuanin nga degjenerimi i jetës dhe gjen prehje në religjion, të tërë këta trashëguan nga familjet analfabete, sepse u rritën në një dobësi shkencore ku në rafte boshe mbanin vetëm librin Kuran. Çfarë pritet më shumë nga kjo? Njerëzit të bëhen gjah i butë dhe truri i tyre të shpërlahet. Është vështirë të dilet nga kjo katrahurë analfabete.

Ajo që më vret më së shumti është kur shpëtohet një fëmijë thonë: “Mrekullia e Zotit”, ndërsa në botë vdesin me mijëra fëmijë rastet e fundit në Alepo dhe askush nuk e quan këtë vepër të Zotit. Zoti nga goja e njerëzve na del selektiv edhe më fëmijët. Përse i sjellë në jetë kur nuk u jap shansin për të jetuar rrugën e Zotit? Të dobëtit përgjigjen: Janë punët e Zotit dhe ne nuk i kuptojmë, atëherë si pret Zoti ta kuptojmë dhe të ecim nën rrugën e tij, kur ai ndërton konfuzitet. Nëse unë nuk e kuptoj Zotin është faji i Zotit. Është detyrë e prindit ta edukojë fëmijën në rrugine e drejtë. Nëse Zoti nuk e ndihmon gjithë botën, atëherë pse i krijoj të gjithë? Nëse në jetë çdo njëri vjen me vullnetin e Zotit, duhet ndihmuar nga ai. Prindi i ndihmon të gjithë fëmijët e tij jo vetëm atë që do. Zoti i religjioneve është në këtë rast si prindi që sjellë në jetë fëmijën dhe e detyron nëpërmjet dhunës psikologjike t’i bindet dhe t’i shërbejë atij tërë jetën, sepse ndryshe do ta ndëshkoj keq. Me lindjen e fëmijëve vdes Zoti.

Çfarë është besimi në të vërtetë?

Njerëzit në botë e radhitin tek sfera hyjnore, mirëpo rrënjët i ka në tokësoren. Udhëzimi i Zotit është: “Beso në mua”, mirëpo nëse njeriu më nuk beson në jetën e amshueshme, bëhet përgjegjës për jetën e tij. Besimtarët tonë në Kosovë Besimin e strehojnë tek hyjnorja dhe bëjnë ftesë secilit person t’i nënshtrohet kësaj, a në fakt i marrin përsipër kompetencat e Zotit. Ata përdorin dhunë, fyerje sharje, përçarje, kërcënim, asnjëherë nuk vijnë nga Zoti. Nëse vërtetë e duan Zotin, Zoti i ndalon këto dhe kush beson në urtësinë e Zotit, bëhet zbatues i tij. Por, njeriu këtu tenton të barazohet me Zotin, sepse fillon përçarja dhe dallimi ndërmjet njerëzve. Më mirë t’i kthehemi Nietzsches, ta zhdukim nga mendimi Zotin.

Ndikimi i fesë Islame tek Kosovarët

Feja është shumë personale edhe i përket lirisë së zgjedhjes. Zoti kundërshton presionin e padëshiruar të shkaktuar ndaj individit, ai këtë e dënon. Nëse fetarët tonë ekstremistë i detyrojnë të gjithë njerëzit t’i nënshtrohen Zotit, prapë asgjë nuk do t’i dhuronte Zoti, andaj nëse mendohet Zoti, përjashtohet dhuna dhe imponimi ndaj përuljes së shtatores së tij. Besimtari i fesë Islame, poashtu edhe ateisti duhet të veprojnë me zërin e urtësisë dhe mirësisë. Luftimi i Zotit nuk bëhet sepse urrehet, por sepse nuk ka referenca për të, andaj ky njeri nuk duhet të konsiderohet si birë i djallit ose fajtor. Zoti besohet ose nuk besohet, pëlqehet ose nuk pëlqehet, por nuk mund të urrehet. Feja islame i përket të gjithëve që dëshirojnë ta aplikojnë, dhe jo veç kjo fe, çdo religjion kërkon masën për përqafimin e saj, në vete sheh rritjen, feja Islame gjithmonë është në rritje e sipër në Kosovë, kjo i bie që njeriu po vazhdon drejt së ardhmes pa reforma.

Në asnjë libër të shenjtë Zoti nuk i veçon besimtarët në individ, por atë i pranon mbas veprave të mira, dhe të devotshmit e sotëm jetojnë nën veprat e këqija dhe abuzojnë në emër të Islamit. Feja thirret mbas të vërtetës, promovon drejtësinë, shpik ndershmërinë, projekton unitetin dhe ndihmën tek njerëzit e pambrojtur, pikërisht këta janë gjahu me i preferuar i fetarëve, dhe krejt në fund për të mirën e njerëzimit. Të jesh i dirigjuar nga literatura e shenjtë, t’i zbatosh urdhrat dhe të ndjehesh mirë. Myslimanin, konkretisht fetarin, Zoti e obligon të lexojë literaturën e shenjtë fetare dhe aty nuk shohë studim, dhe vetë Zoti e mohon ndërmjetësinë, e aq më pak shpalljen e djemve të tij. Feja kërkon që njeriu i dobët të lexojë e të mendojë rreth Zotit dhe fesë së tij. T‘i nënshtrohet Zotit të Abrahamit, të Isakut dhe të Jakobit, tek i mençuri fillon inteligjenca e revoltuar, dhe shpirti dyshues këtu menjëherë bëhet ateistë. Të paktë janë Kosovarë ateistë, kjo nënkupton aftësinë e rreptë, stabile, të thellë, gjykuese, vetëvdendosëse. Këta njerëz janë të rrallë. Njeriu besimtar si ateisti njëjtë vuajnë, dhe kanë vendin e përbashkët: shtratin e vdekjes, këtu nuk përjashtoj as kafshën.

Si t’i marrim mësimet direkt nga Zoti

Krishti erdhi në tokë për t’i zgjidh dy probleme: të keqen dhe vdekjen, ishte i vetëdijshëm që të dyja u dashtë t’i merrte për vete. Nuk mundi të shpëtoj, vdiq i pikëlluar. Hyjnia është e padrejtë me njeriun, sepse e braktis në momente kur ai ka nevojë për të atin për Zotin. Çfarë mësimesh mund të marr nga Zoti? Sakrificën e padrejtë për ta krijuar drejtësinë e rrejshme. E shihni që asnjë fetar qoftë mysliman a katolik nuk është i dhënë nga Zoti, vetëm ata të cilët shkojnë pas grupacioneve ekstreme të gabuara, e janë të pavetëdijshëm, apo me qëllim, fillojnë të keqinterpretojnë, keqkuptojnë dhe thirren në emër të feve. Atëherë, njeriu prapë s’mundet të kthehet te Zoti të thithë njohjen direkt nga dora e tij. Zoti kamuflon, edhe mashtron, nëse i referohemi historisë për të.

Gjithmonë do të ketë fetarë dhe kundërshtar në botë dhe vendin tonë. Të parët janë të dobëtit, frikacaket dhe servilët, të dytë e mohojnë me qëllim ta zëvendësojnë, ose dalin të tretët, thirren në emër të drejtësisë dhe shumë shpesh keqpërdoret drejtësia. Asnjëherë nga këta nuk mund të merr përgjigje me fakte dhe referenca. Ateistët, kur i mohojnë fetarët se përgënjeshtrojnë Profetin ose Zotin, ose i quajnë primitivë servilët e Zotit, sërish pa argumente. Edhe Fetarët që thirren ne emër tij jetojnë pa referenca për të. Zoti në këtë botë kishte fat të pashpresë dhe ditët e tij ishin dhe janë të numëruara.

Njeriu armik dhe mik i Zotit

Logjika e njeriut është armiku i Zotit dhe sado që e tejkalon veten aq më shumë e urren Zotin. Nietzsche këtu klithi për mbinjeriun. Njeriu duhet ta dijë se nëse bënë keq, si ai që bënë mirë prapë nuk merr dënim e as shpërblim nga Zoti. Nëse njeriu prek natyrën, ajo i vërsulet, këtë sëpaku mund ta quan Zot, sepse është rob i saj.

A duhet të jesh rob për Zotin? Kjo frikë jeton tek njerëzit. Zoti nuk duhet as të pengoj e as të rregulloj, mjafton të dergjet i qetë në mendimet e tija. Si të mjaftoj si të mos mjaftoj Zoti, njeriu mund të jetoj i lumtur me vetveten. Njeriu mund ta besoj Zotin vetëm nëse e sheh duke vuajtur në Agoni, dhe vuajtja nga qielli në tokë, a mund të nxjerr një besim dhe lumturi të çuditshme? Po. Këtu Zoti besohet.

Edhe në kohën e krishterimit (mesjeta), edhe sot bëhen shumë krime, posaçërisht parulla e sotme “terrorizmi islamik”. Këtë unë nuk e shohë si të rastësishëm. Terrorizimi është shumë i lashtë, dhe pikërisht është kjo e keqja të mbjellët në trungun e feve, ose e keqja vjen nga religjioni, e mira gjendet në tokë pa religjionin. Apo vrasja dhe zhdukje masive ne emër të feve. Myslimanët nuk e luftojnë, por pranojnë të thirren me të.

Kadare: ekstremizmi fetar bie ndesh me moralin historik shqiptar

Shkrimtari Ismail Kadare është prononcuar se ekstremizmi fetar është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar. Natyrisht, kjo edhe qe pengesë e mbijetesës së rehatshme e këtij kombi nëpër shekuj. Gjithnjë mendohej se orientimi eurotalantaik i shqiptarëve mund të lëkundet për shkak kësaj, por kjo nuk mund të ndodh sepse shqiptarët integrohen më shpejt se vendasit, ndonëse edhe asimilohen. Kadare beson se një pjesë e shqiptarëve janë kundër ekstremizmit fetar, por po harron se nëse zhytemi në “themelet” e fesë, shumë lehtë njeriu eskalon në ekstremizëm, por kjo aspak nuk e zhvendos mendimin pozitiv të shtetit të ri Kosovës për pro perëndimit. Çfarë i bënë feja artit dhe si e dënon atë? Po kthehemi në kohë. Kadare vazhdon të jetë pro fesë krishtere, duke ardhur nga një shtet ateistë (koha e Enver Hoxhës.)

Por, ky shkrimtar anon më shumë kah feja krishtera sepse atë e konsideron si fe Evropiane, dhe me të drejtë sulmon fenë myslimane: “Një pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dhunë”, shprehet ai për të vazhduar: “ Disa të tjerë ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një fenomen tepër të rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman kishte të drejtë të mbante armë. Shqiptari ishte para dilemës: si do mundte ai të mbronte dinjitetin e familjes së tij pa armë? Ndodhte që një vëlla i po të njëjtës çati konvertohej dhe një tjetër jo.” Sipas tij, Sot, nëpërmjet fesë Islame, Turqia përpiqet përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria otomane duket se po rivjen në një tjetër formë. Ai tregon se kombi shqiptar si pasojë e Osmanëve ka vuajtur shumë.

Osmanët nuk qenë vetëm për përgjakje, por ishin si Grekët, instalimin e kulturës së tyre, të njëjtën që e bëri Aleksandri. Ateizmin e tij Kadare e shfaq kur thotë: “Letërsia më ka mbrojtur nga çdo influencë, ideologjike apo fetare.” Zoti i tij është letërsia edhe kombi. Për të parën ka të drejtë, për të dytën jo. Rreziku i kanoset Evropës nga lindja me depërtimin dhe kultivimin e “nacionalizmit të ri”. P.Hajnrih Bël ka thënë “Gjuha ime është djepi im”. Ai termin djep e zëvendëson me komb dhe kjo nuk është e njëjta gjë. Kadare përgjigjet: “Në diktaturë, liria e vetme që i mbetet një shkrimtari është gjuha e tij.

Për këtë arsye ne lexonim male me libra. Për pasojë realiteti zhdukej pas këtyre librave.” E ndaluar qe më e shijshme dhe më e lartësuar për artistin e asaj kohe, edhe arti shkëlqen pas ndalimit.

Shqiptarët i quajnë shqiptarët myslimanë si jokombëtar gjoja se kombi dhe feja nuk rrinë dot bashkë. Kombi është zgjedhje pa dashje e njeriut, feja përzgjedhje nga ndikimi i analfabetizmit, pranimi ndodh nëse logjikisht je i butë e i dobët, ke prirje për servil. Asnjërën nuk e kemi nga Zoti as kombin e as fenë. Individi i fortë ndjehet i vetmuar pranë kësaj kopjeje. Edhe pse kombi nuk është zgjedhja nga zoti, duhet ta duam edhe më shumë, ta ruajmë, zhvillojmë me art ta propagandojmë për zhvillim të mirëfilltë.

Arsyeja pse Kosovarët besojnë në Zot është se të gjithë jetojmë në kushte të vështira ekonomike. Andaj, feja bënë më shumë edhe për ata që jetojnë në mjerim dhe i thërret për detyrim. I ngritë ekonomikisht, i varfëron në logjikë dhe shpirt. Të pasurit feja i quan lakmitar dhe epshor. E dini pse ndihmojnë fetarët në këtë botë? Mendojnë se Zoti nuk ju jep në atë botë nëse nuk dhurojnë në këtë botë. Andaj, më i mjeri këtu ka ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Njeriu jep kontribut nëse ndihmon vetveten dhe shoqërinë pa frikën e Zotit dhe konvertimin fetar.

Kam studiuar shumë për filozofinë, mitologjinë, artin dhe mistikën, askund nuk e gjeta Zotin dhe skam si ta mbroj e si ta mohoj e aq më pak ta vrasë në këtë tekst. Ajo që më prek seriozisht është se disa myslimanë përbuzin, kërcënojnë fyejnë ateistët, kurse ateistët janë më demokrat, nuk konfrontohen fizikisht me fetarët. Zoti s’ka si ta dijë a e kam mirë ose a veprojnë fetarët edhe më mirë se unë.

Zoti nuk mund të dëshiroj as luftë e as paqe mes njerëzve, andaj as një fe nuk vjen nga ai, dhe duhet të hiqen nga fjalori i librave të shenjtë shprehja “Paqe”, sepse ajo gjithmonë qe në mesin e njerëzve. Kënaqësia dhe gëzimi i madh shpërthen nga universi vjen nga krijesat e universit. Zoti ndjehet i huaj.

02/11/2018 21:23

Ilir Muharremi promovon dy libra