Lajme

Besnik Vasolli: BE-ja e ka bërë të qartë çfarë pret prej Kosovës, sundimi i ligjit prioritet

02/06/2018 19:32
nga:M H

Besnik Vasolli, ekspert i integrimeve europiane, ka deklaruar se Strategjia e Zgjerimit për Vendet e Ballkanit Perëndimor ka konfirmuar të ardhmen për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse e shohim në mënyrë të përgjithshme, strategjia rikonfirmon të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Rikonfirmohet edhe njëherë dhe është e rëndësishme sepse Juncker kur e mori pozitën tha se Komisioni nuk do të ketë zgjerim dhe frika ishte se Ballkani Perëndimor do të trazohet dhe largohet nga rruga e integrimit”.

“Për këto dy shtete që është dhënë një datë indikative, viti 2025, por Mali i Zi edhe Serbia duhet të punojnë shumë”.

“Për t’u integruar në BE janë edhe një mori kritere të tjera që secili shtet duhet t’i bëjë. Mali i Zi është shumë më përpara në hapjen e kapitujve, ai i ka 10 kapituj të mbyllur, ndërsa Serbia vetëm 2”.

“Sot u tha edhe në Parlamentin Evropain që janë data indikative dhe vendimi varet në bazë të meritokracisë, në kritere strikte si ato të Kopenhagës, dhe këto janë disa ndër risitë”.

Vasolli ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se Kosova duhet të fokusohet në përmbushjen e kritereve, veçanërisht në disa fusha të caktuara.

“Ne si Kosovë jemi vendi i fundit që është kyçur në procesin e integrimit evropian. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka aplikuar për status të kandidatit”.

“MSA është nënshkruar në vitin 2016, duhet të fokusohemi në zbatimin e saj. Për ta prioritizuar më mirë se çka duhet të bëjë Kosova, Komisioni Evropian ka nxjerrë dy dokumente”.

“Agjenda e Reformës Evropiane – ERA, aty përcaktohen cilat kritere dhe cilat fusha duhet të fokusohet Kosova”.

“Nën dy është Programi i Reformës Ekonomike – sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi ekonomik janë tri shtyllat kryesore që e çojnë Kosovën në BE”.

“Mendoj që BE e ka bërë të qartë atë që pret prej Kosovës. Sundimi i ligjit është kriter në tërë rajonin dhe mbetet sfida më e madhe”.

“Në Kosovë duan ta shohin një qasje gjithëpërfshirëse, nga momenti që fillon hetimi e deri kur sekuestrohet pasuria”.

“Rastet e mbetura në Gjykata duhet të adresohen sa më shpejt dhe të arrijnë edhe deri tek konfiskimi i pasurisë të fituar jashtëligjshëm, dhe më pas paratë nga shitja të shkojnë tek viktimat e krimeve”.

“Ne kemi pasur raste të shumta kur Policia ka kryer hetime, por më pas në Prokurori dhe Gjykata janë përshkruar raste, janë zgjatur dhe ka pasur probleme të ndryshme”.

“BE është duke humbur durimin. Ka pasur edhe mision të vetin në Kosovë – EULEX-i, por nuk ka arritur të ketë sukses dhe këtë sfidë më shumë na e vendosin neve si barrë sesa për vete”.

05/24/2018 09:20

Opozita do të përfshihej në dialog, pa Thaçin kryesues