Lajme

Berisha: PDK-ja e gatshme të votojë qeverinë Kurti, do të jemi opozitë konstruktive

11/24/2019 08:48
nga:B. D

Janë bërë më shumë se 6 javë nga përfundimi i zgjedhjeve dhe ende nuk ka certifikim të rezultateve.

Kjo për shkak të disa parregullsive që u evidentuan gjatë procesit të numërimit. Por edhe problemeve në formularët e prodhuar nga KQZ-ja.

E krejt këto kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hysen Berisha, po i vlerëson si elemente që lënduan tërë procesin zgjedhor.

Berisha thotë se institucionet e dala si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit nga një proces i tillë i deformuar nuk do të jenë kredibile.

“Procesi i numërimit, pastaj gjetjet të cilat janë prezantuar vet nga kryetarja e KQZ-së znj. Daka, flasin për një proces të penalizuar, ngase ato që ajo ka adresuar, qofshin formularët e prodhuar gabim, qofshin veprimet e komisionerëve që kanë dëmtuar shumë vota. 40 mijë vota pothuajse janë votat e një partie më kalua pragun, por edhe qofshin veprimet e liderëve lokalë, të degëve të partive ndryshme, organizimin e komisionerëve për dëmtimin e votës, si elemente të penalizuara atëherë e sjellin në pikëpyetje edhe vet kredibilitetin e institucioneve që do të ndërtohen nga këto zgjedhje”, thotë si.

Pavarësisht ngjarjeve që ndodhen gjatë procesit të numërimit e rinumërimit, Hyseni thotë se partia nga ai vjen dëshiron që sa më shpejt të themelohen institucionet e reja.

Dhe për këtë thotë se nëse VV-së dhe LDK-së u duhet vota e tyre janë të gatshëm t’ia japin.

“Ne si subjekt kemi qëndrimin tonë në qoftë se vjen të ngërçi për numër simbolik votash brenda parlamentit, kryetari i PDK-së ka deklaruar se nëse vjen për një votë unë do të përkrah vetëm bëni institucionet. Unë personalisht mendoj se këto institucione duhet të bëhen. Do të provojmë të jemi opozitë konstruktive, ta mbështesim procesin politik në të gjitha temat e përbashkëta që janë të hapura për tërë Kosovën dhe kuptohet të bëjmë politikë opozitare ndaj temave që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe çështje tjera të mirëqenies së qytetarëve brenda Kosovës”, thotë ai, raporton eo.

Berisha paralajmëroi se do të qëndrojnë stoik në respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se do të përkrahin vetëm një marrëveshje të mundshme me Serbinë, e cila garanton kufijtë me të cilët Kosova u njoh nga më shumë se 100 shtete të botës.

Thotë se tendenca për korrigjim kufijsh qon në zhvillime të papritura në tërë Ballkanin.

“Bisedimet me Serbinë me objektivin që të ketë ndryshim kufijsh, korrigjime, shkëmbime, etj, tema që janë lansuar si thashetheme publike, përderisa për këto nuk ka një qëndrim të prerë të ShBA-së që janë sponsor i luftës, lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Unë i konsideroj të gjitha këto tendenca për ta devijuar Kosovën nga kompromisi i madh që ka arritur për Kosovën shtet të pavarur me diçka që do ta zhbënte Kosovën si shtet. Pastaj hapja e këtyre temave, do ta qojë edhe regjionin në zhvillime të tjera që nuk do të kursejnë më asnjë vend të fqinjëve të shqiptarëve”, thotë ai.

02/07/2020 22:47

Nga një ‘ushtar’ i Ibrahim Rugovës kaloi në partinë e Kadri Veselit, përgjigjet Hisen Berisha