Lajme

Berisha paralajmëron: E tërë Shqipëria do të jetë në protestë

01/08/2022 19:06
nga:Y I

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka deklaruar se protesta do të vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë.

Ai tha se shumë shpejt do të njoftonte edhe protestën e radhës, të cilat i paralajmëroi edhe sot gjatë protestës në PD.

“Pavarësisht nga këto veprime të një tradhtari të vërtetë që sot nxori më shëmtuar se kurrë fytyrën e tij para shqiptarëve, të Lulzim Bashës në koordinim me Edi Ramën, ajo çka më ka impresionuar më shumë është vendosmëria totale absolute e protestuesve për të qëndruar të pamposhtur. Ata sot kanë vetëm një pyetje, kur do kthehemi përsëri. Unë i garantoj se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD do t’u japë atyre përgjigje në kohën më të shpejtë.

Ne nuk jemi në betejë për një zyrë, ne jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur të Edi Ramës për të asgjësuar pluralizmin politik në Shqipëri. Pra ne jemi në një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Sot pas 9 vitesh, shqiptarët panë se kanë më në fund një opozitë të vërtetë të tyre, një opozitë e cila është e gatshme të përballet dhëmbë për dhëmbë dhe tani ky regjim ka arritur deri në shkallë sa të emërojë dhe opozitën që do. De facto sot Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin e familjen, u bë si ministër i Brendshëm i Edi Ramës në qëndrimin ndaj demokratëve.

Atyre që kanë ushtruar dhunë u them, keni kryer një krim të shëmtuar sepse kjo opozitë nuk mund të mposhtet dhe nuk mposhtet.

Është e vendosur pavarësisht nga mjetet që do përdornin të përdorë të gjithë fuqinë e saj për çmontimin e narkoshtetit. Shqipëria e tërë, me një skenar të caktuar, do të jetë në protestë dhe vetëm protestë”,-deklaroi Berisha.

Basha: Sot ishte ‘de facto’ dita e fundit e Berishës në politikë