Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, njëherësh kryetar i Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për situatën në veri, gjendjen e policëve atje, heqjen e barrikadave e kërcënimet e Vuçiqit.
Ai ka thënë se veprimet e qeverisë kanë qenë të gabuara që nga fillimi, sepse një tensionim i mundshëm atje nuk shkon në favor të Kosovës, sidomos në këtë fazë të dialogut.
“Barrikadat ka ditë që janë të vendosura, lajmi më i keq ka qenë zhveshja e uniformave nga policët atje, pastaj reagimi se edhe gjykatësit, prokurorët, zyrtarët e KQZ-së, pastaj mbajtja apo jo e zgjedhjeve, të gjitha këto kanë sjell tensione dhe ne e kemi parashikuar se nëse hyn në këtë lum, të gjitha këto i shkojnë në favor Serbisë sepse ajo gjithmonë ka insistuar që t’i përvetësojë qytetarët atje, që t’i ndajë nga institucionet e Kosovës dhe ta paraqes gjendjen si jo normale. Atje ka tash ish policë që janë bashkuar me mbrojtjen siç e quajnë ata dhe i kanë bllokuar rrugët. Ne e kemi policinë tonë atje, që janë duke e plotësuar atë zbrazëti, duke punuar në kushte të vështira, së pari të ftohtit, pastaj sulmet, incidentet që po ndodhin atje. Të gjitha këto po i përcjellim me shqetësim të madhe, policia po bën një punë të mirë de ne i bëjmë thirrje që të jenë të durueshëm derisa të bëjmë një marrëveshje dhe të kalojë e gjithë kjo situatë e prodhuar artificialisht nga Lista Serbe, duke u munduar që të tensionojë, të ndajë popullin dhe ta paraqes atë pjesë si një problem, për interesa të tyre. Po ashtu presidenti serb Vuçiq, kërcënon gjithë kohën, bën manovra me ushtrinë dhe thotë se nuk do të dorëzohen, por ajo që Serbia është munduar ta bëjë e që qeveria jonë nuk ka ditur të gjendet, do të jenë tendenca të dështuar”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, zgjidhja e kësaj situate është zgjidhja përfundimtare në dialog me Serbinë, në bashkërendim me SHBA-të.
“Zgjidhja e kësaj situatë është zgjidhja përfundimtare në dialog me Serbinë, në bashkërendim me SHBA-të, e të mos bëhet se nuk po i dëgjon në fillim e t’i dëgjojë më pas pasi të bëhet dëmi, pasi pastaj po bëhet vonë por qysh në kohë t’i bashkërendojë qëndrimet, vendimet, veprimet dhe të tejkalohet kjo situatë. Ne tash duhet të flasim Kosovë-Serbi dhe jo Kosovë me disa qytetarë atje që po manipulohen dhe po përdoren nga politika e Beogradit”, është shprehur deputeti.
Ai për Gazeta Blic ka deklaruar se barrikadat në veri duhet të hiqen nga Policia e Kosovës, duke bashkëvepruar me KFOR-in.
“Barrikadat na takon neve t’i heqim, Policia e Kosovës duke bashkëvepruar me KFOR-in, duke qenë aty KFOR-i prezent por Policia e Kosovës e ka autoritetin që ta mbajë qetësinë në atë pjesë. D.m.th ato duhet t’i heqë Policia e Kosovës”, vlerëson Berisha.
Se a ka siguri për të vepruar Policia, për t’i hequr barrikadat, marrë parasysh dhe sulmet e serbëve ndaj tyre, ai thotë se duhet çuar deri në fund plani i nisur.
“Kësaj i thonë me hy në mal pa sakicë, sikur Qeveria jonë. Por kur të hysh në këto gjëra, pastaj duhet vepruar, pavarësisht rrezikut, ne duhet çuar deri në fund planin tonë, d.m.th të qetësisë sonë, të rendit, duhet të zbatohet ligji por gjithmonë në koordinim me SHBA-të”, shton deputeti i AAK-së.
Kryetari i Komisionit për Siguri ka folur edhe për gjendjen e policëve në veri, teksa thotë po bëjnë punë profesionale por që duhet ndihmuar nga shteti në të gjitha format.
“Policia e Kosovës është shumë profesionale, ata mund të veprojnë edhe në këto mungesat që mund të paraqiten, shteti duhet të përgjigjet në të gjitha ato nevoja por në situatën në të cilën janë duhet të kryejnë punë, e rëndësishme është që të mbahet qetësia atje. Ka ankesa nga atje, ne si Kuvend jemi duke u munduar që të sigurojmë sigurime shëndetësore për policët, pushteti që do që ta shtrijë sovranitetin atje e dështoi ligjin për pensionimin e parakohshëm të Policisë dhe Inspektoratin dhe Qeveria e Kosovës në këtë situatë nuk duhet të kritikojë shumë por kur do që të mbash shtet, aty janë shumë veprime që duhet të bëhen dhe nuk është Policia vetëm merri e çoi atje por ka obligime. Unë e di që nuk menaxhuar ashtu siç duhet por ne kemi qenë përkrahës të Policisë pasi ajo është e shtetit, jo e individëve apo pushtetit dhe duhet përkrahur në të gjitha format”, potencon ai.
Berisha thotë se në Jarinje policët nuk janë ndërruar që 60 orë por që ndërrimi i tyre duhet të bëhet e të hiqen dhe barrikadat.
“Në Jarinje ka pasur policë që nuk janë ndërruar për 60 orë. Nuk është problem, pasi ata mund të qëndrojnë aty dhe me muaj. Ndërrimi i tyre duhet të bëhet, duhet të hiqen barrikadat dhe duhet të funksionalizohet ajo pjesë”, thekson deputeti.
Së fundi ai ka kërkuar që Qeveria t’ua rritë pagat policëve, derisa për këtë kërkesë tha se do të duhej të merrej parasysh nga Qeveria por që nuk beson se do ta bëjë ajo.
“Kërkesa ka qenë shumë përmbajtësore pasi policët po e ruajnë vendin, integritetin, qetësinë dhe rendin kushtetues në atë pjesë, dhe pagat janë të vogla dhe qeveria do të duhej të mendojë se si t’i ndihmojë shumë direkt ata që po sakrifikojnë gjithçka, të cilët po e bëjnë punën me vullnet të madh dhe po e bëjnë për vendin, atëherë qeveria duhet të veprojë për ata njerëz që po qëndrojnë në këtë situatë atje në këto kushte, t’u rriten pagat 50 për qind. Në këso situata duhet të veprojë kështu një kryeministër i përgjegjshëm. Por se sa do ta bëjë, shihet nëse refuzojnë t’i bëjnë disa punë tjera edhe më të vogla dhe nuk besoj që do të veprojnë kështu siç po them, pasi vullnetin e kanë të vogël për të ndihmuar, pasi fjalët i kanë të mëdha ndërsa veprimet e vogla”, thotë ai.
Teksa Berisha thotë se Policia e Kosovës duhet t’i heqë barrikadat në veri, kryeministri Kurti kishte kërkuar nga KFOR-i që ta sigurojë lirinë e lëvizjes në atë pjesë. Për këtë, deputeti e quan kontradiktor Kurtin, i cili thotë se me fjalë interesante mundohet të manipulojë me popullin, por që sipas tij, nuk duhet prodhuar situata të rrezikshme për shkak të politikës dhe të dalin interesant para qytetarëve.
“Kryeministri është kontradiktor në të gjitha që i ka thënë dhe i ka bërë. Shpeshherë i kam thënë se çdo situatë mundohet ta manipulojë me disa fjalë interesant, e di se kjo hahet në masa të mëdha, me një fjalë popullore por duhet të veprohet dhe jo të arsyetohet, duhet të hiqen barrikadat nga Policia e Kosovës, duhet bashkëvepruar, dëgjuar këshilla, KFOR-in e kemi këtu, jemi të bekuar që e kemi SHBA-në që na mbështet në këtë situatë dhe nuk duhet të bëhemi mendjemëdhenj dhe të bëheni se kemi fuqi më shumë se që kemi. Nuk duhet për shkak të politikës të prodhohen situata të rrezikshme. Ne jemi këtu për vendin, nuk kemi ku të shkojmë dhe veprojmë për vendin nëse vjen momenti por po veprojnë pa mend, politikisht dhe për të dalë interesant para popullit por janë situata të rrezikshme dhe duhet bashkëvepruar e duhet pasur konsensus politik por edhe praktikisht duhet vepruar dhe duhet çuar deri në fund ajo që është nisur”, vlerëson ai.
Sa i përket kërcënimeve me ushtri nga Vuçiq, Berisha thotë se ato nuk na frikësojnë por frika ka qenë nga fillimi manipulimi i situatës dhe tentimi për t’ia hedhur fajin Policisë së Kosovës.
Por se thotë që nuk na frikëson askush.
“Që kur ka nisur kjo situatë kemi qenë të shqetësuar, pasi jemi shqetësuar mos po manipulohet ndonjë situatë që sulmohet ndonjë fëmijë apo grua dhe faji të tentohet t’i mbetet policisë për t’ua humbur integritetin. Kërcënimet e Vuçiqit janë të përhershme, nuk frikësohet askush, ai po e bën këtë lojë politike nga ana e vet dhe ka thënë se do ta pyes KFOR-in, mirëpo këtu është edhe Policia e Kosovës edhe Ushtria dhe qytetarët e Kosovës që kanë provuar 3 herë gjenocid nga agresioni serb dhe ne këtë situatë e shohim me shqetësim por nuk na frikëson askush. Ne e kemi fituar lirinë me gjak dhe do ta mbrojmë ashtu”, përfundon deputeti Bekë Berisha./Gazeta Blic/