Lajme

‘Befason’ Dardan Molliqaj, thotë se deputetët e PSD-së kanë më shumë vota se ata të Lëvizjes Vetëvendosje

02/12/2019 20:50
nga:A. R.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, në Rubikon, ka thënë se 12 deputetët e PSD-së, kanë më shumë vota se 19 deputetët që kanë mbetur në Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Gazeta Blic.

Por, ky konstatim i Molliqajt, del të mos jetë i saktë, nëse përllogaritet vota e seciit deputet. Partia Social Demokrate, për nga numri i votuesve të deputetëve të tyre, është larg nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e mbajtura në qershor të vitit 2017, llogaritur votat e të gjithë deputetëve, kishte marrë 585 mijë e 666 vota.

Me largimin e 12 deputetëve nga partia e Kurtit, dhe kalimi i tyre në PSD, ia kishte humbur Lëvizjes Vetëvendosje 242 mijë e 130 vota. Shto këtu edhe 15,886 votat e Donika Kadaj-Bujupit, e cila ishte rikthyer në AAK.

Nga kjo rrjedh që Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka 327 mijë e 65 vota, për 19 deputetët e saj. Kurse, Partia Socialdemokrate, ka 242 mijë e 130 vota, apo 85520 vota më shumë kanë deputetët e VV-së, se ata të PSD-së, shkruan Gazeta Blic.

12 deputetët që janë pjesë e “Partisë Socialdemokrate” janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

Të gjithë këta kishin qenë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjen e mbajtura më 11 qershor të vitit 2017.

Nga ato zgjedhje, VV, kishte arritur që t’i merr 32 deputetë. Kandidati i atëhershëm për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, kishte marrë mbi 143621 vota, duke u shpallur si politikani më i votuar në ato zgjedhje.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, 13 deputetë u larguan nga partia e Albin Kurtit. Nga largimi i tyre, VV mbeti me vetëm 19 deputetë, duke e humbur primatin e partisë më të madhe parlamentare në Kuvendin e Kosovës.