Lajme

BE: Veprimet e Kosovës, të njëanshme dhe të pakoordinuara

02/05/2024 14:58
nga:G B

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka folur rreth veprimeve të ndërmarra nga institucionet e Kosovës javën e kaluar, rreth ndalimit të dinarit dhe mbylljes së zyrave paralele serbe në komunat e Pejës, Klinës, Istogut, Dragashit dhe Prishtinës, e vende tjera.

Stano në një konferencë për media tha se këto veprime janë “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

“Gjatë javës së shkuar kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Njëri ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se ata nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës“, tha Stano.

Ai theksoi se reagimet e fundit të BE-së kishin për qëllim të shmangin tensionet.

“Është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim, përkeqësimin e situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, tha zëdhënësi i BE-së.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore, e cila e lejon vetëm euron si valutë për pagesa.

Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin, se ekziston mundësia se do të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës.