Ndonëse ka ardhur deri te transferimi i pushtetit lokal në katër komunat në veri – zhvillim që u përshëndet nga faktorët relevantë ndërkombëtarë dhe që ishte ndër kushtet kryesore për heqjen e masave – duket se Bashkimi Evropian ende nuk është i gatshëm të ndërmarrë këtë hap, të paktën jo para zgjedhjeve.
Në kuadër të miratimit të konkluzave për takimin ministror të dhjetorit, po zhvillohen diskutime mes shteteve anëtare për formulimin e mesazhit që i referohet heqjes së masave. Sipas burimeve diplomatike, ekzistojnë ndasi sa i përket qasjes ndaj kësaj çështjeje. Shtetet janë të ndara mes atyre që dëshirojnë heqjen e menjëhershme dhe atyre që preferojnë një qasje graduale.
Ndasitë janë të pranishme edhe mes institucioneve evropiane. Ndërsa Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, nën drejtimin e kryediplomates Kaja Kallas, mbështet heqjen e plotë të masave, Komisioni Evropian, sipas burimeve, mban qëndrimin e shteteve anëtare që hezitojnë t’i largojnë tërësisht masat.
Takimet në nivel ambasadorësh do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, pasi duhet gjetur kompromisi për formulimin që do të përdoret në konkluzat e 16 dhjetorit sa i përket masave.
Ajo që është e qartë në këtë moment është se, pavarësisht premtimeve të mëhershme se heqja e masave do të ndodhte pas transferimit të qetë të pushtetit lokal, tani po kërkohet një riformulim që e ruan premtimin për heqjen e masave në të ardhmen, por jo menjëherë.


