Lajme

BE: Ka ardhur koha për një përfundim të suksesshëm të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

04/19/2022 13:41
nga:Astrit Gashi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot, në 9-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, se tani është koha për të ecur përpara dhe që procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës “të përfundojë me sukses”.

Stano theksoi se me nënshkrimin e Marrëveshjes, Beogradi dhe Prishtina kanë marrë obligime të rëndësishme ndërkombëtare dhe ka theksuar se të dyja palët duhet të zbatojnë plotësisht të gjitha gjërat për të cilat janë pajtuar.

“BE dhe vendet anëtare presin përparim të shpejtë nga të dyja palët, si dhe përfshirje serioze të Beogradit dhe Prishtinës. Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare presin gjithashtu që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura”, tha Stano për Tanjug, përcjellë Gazeta Blic.

Ai shtoi se BE-ja vazhdon të punojë me palët në dialog për të arritur, siç tha, “një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, duke u marrë me të gjitha çështjet kryesore të mbetura.