Sporti

Bayerni rikthehet sot në “Allianz Arena, Eintracht Frankfurt synon befasinë

05/23/2020 08:38
nga:Mergim Rreci

Bayern Munchen iu rikthye Bundesligës pak a shumë aty ku e kishte lënë.

Pas ndërprerjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit kampionët në fuqi vijuan rrugën e fitoreve, duke mposhtur brenda në kryeqytet debutuesit e Unionit të Berlinit. Si zakonisht, për ekipin bavarez e zhbllokoi rezultatin golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman, Robert Lewandowski, që në fund të pjesës së parë shënoi golin e tij të 26-të në këtë edicion të Bundesligës.

Takimi i Javës së 27-të me Eintrachtin do të zhvillohet në orën 18:30, pikërisht në këtë impiant, dhe do të jetë vërtet shumë e vështirë për të parë të zbrazur dhe pa spektatorë një stadium madhështor, siç është “Allianz Arena”, me kapacitet 75.000 vendesh, përcjell GazetaBlic.

Hansi Flik nuk do të ketë në dispozicion sërish emra të tillë si Coutinho, Sule, Tolisso dhe Javi Martinez, ndërkaq janë riaftësuar plotësisht Kingsley Coman dhe sulmuesi tjetër Jann – Fiete Arp, ndërsa gjendja e kroatit Ivan Perisic mbetet për t’u vlerësuar, sepse 31-vjeçari i ardhur në formë huazimi nga Interi ka pësuar një dëmtim në kavilje.

Gjendja në skuadër duket e mirë, madje në Berlin golin e sigurisë e shënoi mbrojtësi i përfaqësuese franceze, Benjamin Pavard, goli i tretë për 24-vjeçarin në këtë edicion të Bundesligës dhe i pari që nga fundi i muajit tetor, kur kampioni i botës i shënonte pikërisht ekipit të Unionit.

Në krahun tjetër, Eintrachti, që ka për të rikuperuar edhe takimin e prapambetur me Verderin, pozicionohet në vendin e 13-të, 5 pikë larg zonës së “play out”-it dhe te miqtë do të mungojnë Dominik Kohr, Goncalo Paciencia dhe Marco Russ. Gjithsesi, situata te “shqiponjat” është përkeqësuar ndjeshëm dhe trajnerit austriak Adi Hutter po fillojnë t’i digjen këmbët, pasi disfata 1-3 brenda në “Commerzbank – Arena” e javës së kaluar me Gladbachun përfaqëson humbjen e katërt radhazi për klubin nga Frankfurti në kampionat.

Përpara dy vjetësh, “shqiponjat” i thyen të kuqtë në mënyrë surprizë pikërisht në “Olympiastadion”, në finalen tradicionale të Kupës së Gjermanisë, që mbahet si zakonisht në kryeqytet, ndërsa në fazën e parë Eintrachti i shpartalloi kampionët në fuqi brenda në “Commerzbank – Arena” me rezultatin e thellë 5-1, sidoqoftë dy ekipet do të matin forcat sërish më datë 9 qershor në “Allianz Arena”, për fazën gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.