Sporti

Bayern Munich synon rinovimin e kontratës me Manuel Neuer

12/10/2025 17:10
nga:Mergim Rreci

Pavarësisht moshës 39-vjeçare, Manuel Neuer vazhdon të mbetet në planet afatshkurtra të Bayern Munich.

Klubi bavarez raportohet se është i gatshëm t’i ofrojë portierit legjendar edhe një rinovim kontrate për sezonin e ardhshëm, duke konfirmuar besimin e plotë te performanca dhe përvoja e tij.

Sipas mediave gjermane, Bayern po shqyrton seriozisht mundësinë e shitjes së Alexander Nubel, i cili aktualisht është i huazuar te Stuttgart.

Megjithatë, situata nuk është e lehtë, pasi paga e lartë e portierit 27-vjeçar e vështirëson transferimin e tij të mundshëm.

Neuer u bashkua me Bayern Munich në verën e vitit 2011, pas largimit nga Schalke 04, dhe që nga ajo periudhë ka shkruar histori me fanellën bavareze.

Ai ka mbajtur shiritin e kapitenit dhe ka fituar një numër të madh trofesh, duke u kthyer në njërin prej portierëve më të mirë në botë.

Rinovimi i mundshëm me Neuer shihet si vazhdimësi e stabilitetit në portën e kampionëve gjermanë, ndërsa Bayern duhet të vendosë për të ardhmen e Nubel gjatë merkatos së ardhshme.