• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Batusha i VV’së paralajmëron opozitën: Në zgjedhjet e ardhshme do të dalim edhe më mirë

06/17/2024 11:43
nga:G C

Nga Vetëvendosje thonë se opozita, gjegjësisht LDK e AAK u frikësuan që të shkojnë në zgjedhje.

Deputeti Agon Batusha tha se Kurti ua dha mundësinë opozitës, por sipas tij, nuk e shfrytëzuan.

“Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin në shkurt të vitit të ardhshëm ose këtë fundvit, por gjithsesi që opozita ka trumbetuar shumë shpesh se duhet shkuar në zgjedhje dhe kryeministri i Kosovës, kryetari i LVV-së ua ka dhënë këtë mundësi, në dakordancë edhe me GP që nëse duan zgjedhje, shkojmë por fillimisht duhet të ketë unifikim opozitar që t’i bëjmë 2/3 në Parlament dhe ta shpërbëjmë atë dhe më pas të shkojmë në zgjedhje të reja. Por kjo nuk u arrit, siç i pamë dhe përpjekjet, kryeministri i ka thirrur partitë opozitare për t’u dakorduar për agjendën legjislative por PDK që ishte në takim e ka ngritur çështjen e zgjedhjeve të reja dhe natyrisht qëndrimi është ai që është bëre publik por nuk ka qenë tendenca jonë që në atë takim të flasim për zgjedhje”, tha Batusha.

“Dhe patëm dy partitë tjera opozitare që nuk shkuan në takim dhe nuk u dakorduan për zgjedhje të reja, pavarësisht se trumbetuan se i duan ato. Ne mendojmë se këto subjekte politike nuk kanë qenë të gatshme të shkojmë në zgjedhje”, shtoi ai.

Batusha është optimist se do t’i fitojnë zgjedhjet kurdo që ato mbahen.

Ai madje e paralajmëron opozitën se ata do t’i rrisin votat, sidomos tani që edhe mërgata mund të votoj nëpër ambasada e konsullata.

“Partitë opozitare ka një kohë të gjatë që kërkojnë zgjedhje dhe përderisa i kërkon ato duhet të jesh i gatshëm në çdo kohë të shkosh në zgjedhje. Të ankohesh se jo ne po duam në këtë mënyrë o në atë mënyrë, zgjedhjet janë zgjedhje, duhet të shkojmë në zgjedhje nëse dëshirojnë. Kryeministri Kurti nuk mund të shkarkohet sepse ai e ka shumicën në parlament, andaj ne po kërkojmë si deputetë dhe parti që të shkojmë në zgjedhje, nuk mund të rrëzohet kryeministri por opozita ka gjetur këto modalitete që të arsyetohet para elektoratit. Mendoj që i kanë parë sondazhet të cilat atyre nuk iu konvenojnë të shkojnë në zgjedhje në këtë kohë sepse janë keq në sondazhe dhe po tentojnë t’i ikin zgjedhjeve deri në fund të mandatit, duke shpresuar se mund ta dëmtojnë VV-në por siç po shihet ne vetëm po rritemi dhe duket që i kanë bërë matematikat gabim”, tha Batusha.

“Edhe unë pajtohem me kryeministrin, edhe në bazë të matjeve aktuale ne do të dalim edhe më mirë, edhe me ndryshimin e ligjit për zgjedhje ku mërgata ka të drejtë të votojë në ambasada, konsullata, kjo do të mundësojë që edhe mërgata ta japë mendimin e tyre përmes votës, edhe qytetarët që janë në Kosovë e kanë parë se çfarë punësh janë bërë, natyrisht se ka ende punë për të bërë dhe veprimet tona për shtet e sovranitet janë vlerësuar shumë prej qytetarëve dhe sipas matjeve, ne do të dalim edhe më mirë në zgjedhjet e ardhshme”, shton ai për Expose, prodhim i GazetaBlic.