Sporti

Bashkimi Evropian kundër Superligës: Do të mbështetim modelin e sportit gjithëpërfshirës!

01/10/2024 14:12
nga:Mergim Rreci

Edhe Bashkimi Evropian është kundër Superligës Evropiane. Të paktën këtë lë të kuptohet në deklaratën e tij të fundit zv. presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian, Margaritis Schinas, i cili rreshtohet përkrah UEFA-s.

“Impenjimi ynë në drejtim të modelit sportiv europian, është i palëkundur dhe i pakushtëzuar. Natyrisht që ka një element komercial në sport dhe në futboll, por modeli sportiv europian u përket të gjithëve.

Do të vazhdoj të mbroj këtë ide të një modeli sportiv europian gjithëpërfshirës. Dhe jam shumë i kënaqur nga fakti që nuk jam i vetmi. Shtetet tona anëtare, Parlamenti Europian, tifozët, të gjithë ndajnë këtë mënyrë për të parë sportin dhe futbollin në Europë“.

Ishte kjo përgjigja e zv. presidentit të Komisionit të Bashkimit Europian, i pyetur në lidhje me Superligën. Me Schinas që nuk harroi të saktësonte: “Sigurisht që nuk do të komentoj vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian në lidhje me Superligën“.