Lajme

Basha: Sot PD ka pasur vetëm Kuvendin Kombëtar, nuk ka referendum dhe Komision Rithemelimi

12/18/2021 20:49
nga:M K

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur nga selia pas përfundimit të Kuvendit. Ai tha se ditën e sotme ka pasur vetëm një aktivitet në PD dhe ky është Kuvendi.

Basha u shpreh se nuk ka Komision Rithemelimi dhe as referendum.

Në fund, kryetari i PD-së u shpreh se për një kohë të gjatë ka vendosur interesat e Berishës mbi interesat e kryetarit të PD dhe ndonjëherë edhe të demokratëve, por kjo ka marrë fund ditën e sotme.

Lulzim Basha: E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve. Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve që është shtëpia e lirisë. Do të qëndrojmë me vetëdijen për të gjitha gabimet e së kaluarës duke përfshirë edhe atë që pastaj vuri në lëvizje një revansh 8-vjeçar mbi Shqipërinë që ndaloi atë që do kishte qenë sot Shqipëria në BE. Gabimet e të kaluarës, në veçanti ku përsëriten në mënyrë tragjikomike nuk do të marrin peng më PD-në dhe demokratët. Sot ka pasur vetëm një aktivitet të PD, ai ka qenë Kuvendi Kombëtar i demokratëve.

Ka zëra se Berisha dhe Komisioni i rithemelimit do të vijnë në selinë blu për të shpallur rezultatin e referendumit sot. Do të jeni këtu, do ta prisni rezultatin?

Lulzim Basha: Nuk ka referendum, nuk ka komitet rithemelimi. Ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar që sot mori vendimin e tij!

Nuk respektoni ata anëtarë që sot për më shumë se 8 orë iu drejtuan qendrave të votimit në të gjithë vendin?

Basha: Ju nuk keni asnjë informacion se ata janë anëtarë të PD. Unë di se ka disa anëtarë të PD, të cilëve iu bëj thirrje që t’i bashkohen vendimeve të institucioneve të PD.

A do të qëndrojë e hapur selia për ata që duan të shpallin rezultatin për atë aktivitet që ju nuk po e konsideroni?

Basha: PD ka pasur një aktivitet sot, rezultatin është shpallur. Sot PD ka pasur vetëm një aktivitet. Ka një Parti Demokratike që ka pasur një Kuvend Kombëtar sot. Të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët në mish për top. Kjo do të refuzohet me vendosmëri të prerë.

Ju ndërroi mbiemrin ju quajti Lul Brava?

Basha: As nuk i kam dëgjuar deklaratat e tij sepse për një kohë të gjatë kam vendosur interesat e tij, sigurisht mbi interesat e kryetarit, por kam frikë se nganjëherë edhe mbi interesat e demokratëve. Kjo kohë mori fund sot. /tvklan/