Lajme

Basha refuzon Prokurorinë në lidhje me lobimin rus: Vij kur të zbatoni ligjin

06/17/2019 11:30
nga:A. R.

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9.30.

Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës, kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmëri ligjin, transmeton Dita.

Në njoftimin e prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shprehet në letrën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në keto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës oër paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”, ka mbyllur letrën kreu i selisë blu.