Lajme

Baraliu tregon faktorët kryesorë që po ndikojnë në Gjykatën Kushtetuese: Po merren vendime kontradiktore

06/25/2024 17:38
nga:G C

Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu ka folur rreth vendimeve të Qeverisë që pothuajse shumica prej tyre, janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Baraliu në një prononcim për GazetaBlic ka treguar edhe zanafillën e problemit, pse shumë prej vendimeve që dërgohen në Kushtetuese, zvarriten me muaj të tërë.

“Ka arsye, shkaqe dhe faktorë të ndryshëm që kanë ndikuar që Gjykata Kushtetuese të jetë kjo që është, me rezultatet e saja, por edhe me zvarritjet e lëndëve. Në radhë të parë, është Gjykatë e re, e dyta, rekrutimi i gjyqëtarëve është bërë në baza kryesisht politike nga parti të ndryshme të cilat herë-herë, për kandidatët militantë të subjekteve të veta politike kanë ditë të merren vesh, parti opozitare me ato në pozitë”, tha Baraliu.

Si faktor tjetër, mjaft të rëndësishëm, Baraliu e sheh edhe ndikimin politik që ka kjo Gjykatë, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.

“Faktori tjetër i radhës është ndikimi politik nga jashtë e nga brenda, ndikimi politik edhe nga strukturat institutcionale, formale dhe joformale në Kosovë, por edhe nga qarqet ndërkombëtare të pranishme nga zyrat e përfaqësuesve diplomatik në Kosovë”, tha Baraliu.

Teka e quan Gjykatë me rëndësi të veçantë juridike e historike, Baraliu thekson se ka shumë punë që të ketë përmisime.

“Të gjitha këto kanë bërë që ajo Gjykatë të mos ketë shumë jehonë me vendimet e saja, sepse ka bërë edhe vendime kontradiktore ose të dyzuara të cilat kanë shkaktuar jo sa duhet mirëkuptim. Pra, ndikimi politik dhe faktorët tjerë kanë ndikuar që Gjykata Kushtetuese të jetë kjo që është, me gjithë rëndësinë e saj, ka edhe shumë çka për t’u përmisuar”, tha Baraliu për GazetaBlic.

Shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP’së me propozim të Qeverisë, GJK: Vendimi anti-kushtetues