• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Baraliu: Qeveria e Kosovës ka dështuar me miratimin e ligjeve, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka mangësi profesionale

12/14/2024 21:40
nga:G C

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu në një intervistë dhënë për Expose theksoi se tashmë është vërtetuar që kjo Qeveri nuk ka arritë të miratojë ligje ashtu siç duhet.

Baraliu ka kritikuar Qeverinë për miratimin e ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, teksa shton se kjo është problematike sa i përket kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

“Sigurisht, këto janë çështje të detaleve dhe procedurale, përmbajtësore që janë vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese si të tilla që pengojnë elemente të caktuara, komponente të caktuara të këtij ligji, për t’u zbatuar në funksion të cenimit eventual të të drejtave elementare të lirisë së njeriut dhe të qytetarit, të cilat Kushtetuta jonë dhe Gjykata Kushtetuese janë guardianë dhe kanë funksionin kushtetues dhe juridik për t’i mbrojtur pikërisht këto të drejta. Pra, ka diçka që nuk shkon në frymën e kësaj Kushtetute dhe kushtetshmërisë përgjithësisht, nëse doni, dhe prandaj kemi një situatë të tillë që Gjykata e ka vlerësuar si të tillë”, tha Baraliu.

“Ka të bëjë kryesisht me procedurat e përshpejtuara. Shpesh është vërtetuar që kjo qeveri, ky koalicion qeverisës, më saktë, nuk ka arritur t’i përgatisë siç duhet ligjet, të paktën sipas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se më shumë se 10 ligje janë dërguar për t’u kontestuar atje. Por, është e vërtetë që Komisioni i Venecias ka dhënë disa herë, jo njëherë, mendime të caktuara për disa ligje ose projektligje, të cilat sipas tyre dhe opinionit publik, nuk janë respektuar plotësisht nga Qeveria për t’u dërguar në Parlament. Pra, Qeveria dhe Parlamenti, në mënyrë të përshpejtuar, kanë miratuar ligje me procedura të tilla që ndonjëherë nuk respektojnë as rregulloren e Kuvendit të Kosovës, duke rezultuar në ligje problematike sa i përket kushtetshmërisë dhe ligjshmërisë”, shton ai.

Në anën tjetër, Mazllum Baraliu ka shprehur shqetësime të thella për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ai ka theksuar se një nga arsyet kryesore për mangësitë dhe gabimet e kësaj gjykate është përzgjedhja e anëtarëve të saj nëpërmjet kritereve politike, dhe jo në bazë të profesionalizmit dhe vlerave ligjore.

“Në tërësi, me ngritjet dhe zbritjet e saj, me dritëhijet e saj, gjykuar në bazë të asaj që opinioni publik, qytetarët dhe kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët, por edhe reagimet e caktuara të atyre të cilëve u janë cenuar të drejtat në instanca të caktuara të gjyqësisë së rregullt, pra të gjykatave të rregullta, dhe më pas edhe në Gjykatën Kushtetuese, ka pasur raste kur kjo gjykatë nuk ka qenë e vënë në detyrën e saj”.

“Dhe pikërisht njëra nga arsyejt ose faktorët ndikues ka qenë padyshim, mendoj unë, përzgjedhja e anëtarëve të saj me kritere parësisht politike dhe jo të vlerës dhe të profesionalizmit, ashtu siç është kërkuar me ligjin për Gjykatën Kushtetuese gjithmonë dhe me konkurse të caktuara të parapara për të emëruar ose zëvendësuar gjyqtarët e tillë, të cilëve u ka kaluar mandati në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Baraliu.

Krahas këtyre, Baraliu thotë se mund të ketë ndikuar që kjo gjykatë është fillestare, pasi sipas tij, në të kaluarën Gjykata që ka pasë Kosova ka funksionuar në parime krejt tjera.

“Pra, kjo gjykatë dhe shkaku tjetër, ose faktori tjetër ndikues, është se ajo ka qenë gjykatë fillestare. Ne nuk kemi pasur traditë, ndonëse edhe në ish-krahinën socialiste të asaj kohe autonome të Kosovës kemi pasur një gjykatë, por ajo ka qenë e konstruktuar dhe ka funksionuar në parime dhe në baza krejt të tjera, të një sistemi tjetër monist. Ndërkohë, në këtë sistem ne nuk kemi pasur përvojë, dhe kjo gjykatë e ka bartur sigurisht përgjegjësinë e saj me të bëmat, me të arriturat dhe me lëshimet dhe gabimet të cilat nuk kanë qenë të pakta në veprimtarinë e saj, dhe sidomos me ndikimet politike të cilat jo rrallë herë iu janë nënshtruar nga jashtë dhe nga brenda, pra nga Kosova dhe faktori i jashtëm i pranishëm në Kosovë, që ka ndikuar ndoshta, ose ka mundur të ndikojë më saktë, në vërdiktet e saj”, tha Baraliu për Expose, prodhim i GazetaBlic.